NË NDESHJEN FESTIVE
Curri e Dallku, pensionohen të premten
11 November, 2015 @13:22
Debatik Curri dhe Armend Dallku, ndër futbollistët më të dalluar të dalë nga Kosova e pasluftës, të premten do t’i thonë lamtumirë kombëtares për të cilën derdhën djersë me vite të tëra.
Dyshja në fjalë, një pjesë të madhe të karrierës e kanë kaluar bashkë, duke luajtur për Prishtinën në Superligë, pastaj Vorsklan në Ukrainë dhe kombëtaren shqiptare.
Pensionimi nga kombëtarja
Curri që nisi karrierën si mesfshor defanziv e u kthye me kohë në qendërmbrojtës stabil, ka vendosur që për shkak të lëndimit që e morri këtë stinor me Flamurtarin e Vlorës, të penzionohet nga kombëtarja dhe nuk e sheh veten në EURO 2016 me Shqipërinë në Francë.
Dallku, që tashmë ka konkurrent të fortë në pozitën e tij të mbrojtësit të krahut, ka dashur të shfrytëzojë këtë moment kur përballen Kosova-Shqipëria për t’u përshëndetur nga kuqezinjtë.
Karriera me kuqezinjtë dhe golat
Curri tash 31 vjeç, që më 28 dhjetor i mbush të 32-tat ka regjistruar 40 paraqitje me Shqipërinë përgjatë dekadës së shkuar. Ai ka një gol të shënuar për kuqezinjtë dhe atë që mbahet mend - ndaj Holandës në humbjen e Shqipërisë atje 2-1.
Dallku, 32 vjeç, ende luan te Vorskla në elitën ukrainase. Ai nuk ka qenë pjesë e Shqipërisë në këtë cikël kualifikues për shkak të konkurrencës në pozitën e krahut. Ka pasur 57 paraqitje me kombëtaren në karrierën e tij duke qenë në fushë 4773 minuta dhe duke e shënuar një gol, ndaj Maltës në fitoren 3-0 të Shqipërisë.