BALLKANI 3-0 ULPIANA
Daja rendit fitoret, Ballkani lider 3/3
23 February, 2022 @15:11
Prej ardhjes së Ilir Dajës në krye të ekipit, Ballkani po rendit fitoret. Skuadra suharekase ka arritur edhe fitoren e tretë në tre ndeshjet e para të pjesës pranverore të stinorit dhe këtë bilanc nuk e ka asnjëra skuadër tjetër e Superligës në pranverë.
Suharekasit kanë marrë nëntë pikë nga nëntë të mundshme, duke e ruajtur kreun e renditjes tabelare së paku deri në xhiron e radhës, kur i pret derbi i madh ndaj njërit nga ndjekësit në luftë për titull, Drita.
Fundi i pjesës së parë ka qenë fatal për Ulpianën mysafire të Ballkanit sot, pasi që në pesë minutat e fundit të ndeshjes vendasit shënuan jo një, por dy herë për të shkuar qetë në pushim dhe thuajse me fitore në xhep.
Ka qenë kapiteni Edvin Kuc që ka shënuar për epërsinë e suharekasve, ndërsa asistuesi i tij Blend Baftiu ka shënuar tre minuta më vonë kur pranoi topin nga Armend Thaqi për 2-0 të 45-minutave të para lojë.
Në pjesë të dytë, gjërat u vështirësuan edhe më tepër për ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova, pasi që Egzon Qerimi u ndëshkua me karton të kuq (49’). Gjithsesi, Ulpiana provoi disa herë, por Stivi Frashëri në portë të Ballkanit, ishte i pakalueshëm.
E 15-minuta para fundit të ndeshjes ka qenë gjakovari Mevlan Zeka që u përkujdes për epilogun e takimit, duke shënuar për 3-0 [Edvin Kuc 41, Blend Baftiu 44, Mevlan Zeka 75] përfundimtare, që e mban Ballkanin në krye të renditjes tabelare të Superligës.