SHQIPËRIA MUND TË DALË NGA GRUPI

Gianni De Biasi, trajneri italian i kombëtares shqiptare/ BOROZANI/ Lis Dorambari
De Biasi tregon objektivat në EURO 2016
15 December, 2015 @11:58
Gianni De Biasi beson. Strategu italian i kombëtares shqiptare mendon se kuqezinjëtë do të gjejnë forcë të dalin nga Grupi A i EURO 2016 përkundër rivalëve të fortë që i ka në këtë grup.
Franca vendase e turneut, pastaj Zvicra e Rumania janë rivalët e grupit të Shqipërisë në Kampionatin Europian.
“Edhe pse është vështirë, ne duam të luajmë në fazën e eliminimit. Për ta bërë këtë, do të ishte mirë që të kualifikohemi si të parët ose të dytët nga grupi,” ka thënë De Biasi për Panorama Sportin.
Për më tepër, italiani mendon se është më mirë që nuk luajnë me Francën në ndeshjen e parë të EURO 2016.
“Po të luanim me Francën në ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian, do të ishim më shumë në presion. Me Zvicrën nuk do të jetë ashtu, e me Francën takohemi në ndeshjen e radhës,” ka shtuar ai.
Shqipëria do të debutojë në një Kampionat Europian qershorin që vjen. Ndërsa përballja e parë e Grupit A për kuqezinjtë do të jetë ndaj Zvicrës, para se të ndeshen me Francën e në ndeshjen e tretë me Rumaninë.