LIGA E PARË

BOROZANI/Arkiv
Derbi i Ligës së Parë i takon Vëllaznimit
13 October, 2013 @12:13
Dy skuadrat e vjetra dhe me famë në Kosovë, Liria dhe Vëllaznimi dje u takuan në kuadër të xhiros së nëntë të Ligës së Parë të Kosovës.
Pasi që Liria ka ende stadiumin në rinovim, ndeshja u luajt në Suharekë. Prizrenasit kishin kërkuar nga gjakovarët që të shtynë ndeshjen deri të enjten, kur pritet që stadiumi Përparim Thaqi të jetë gati, por nga Vëllaznimi erdhi përgjigje negative dhe ndeshja u zhvillua në Suharekë.
E sa i përket fituesit, Vëllaznimi doli në fund më i mirë se Liria dhe arriti të shënojë fitore me rezultat 1-2. Golashënues për ekipin kuqezi nga Gjakova ishin Mevlan Zeka dhe Luigj Buqaj, që i dhanë fitore në derbin e Ligës së Parë të këtyre dy skuadrave të zhytura vjet në këtë Ligë.
Me këtë fitore Vëllaznimi ka shënuar fitoren e gjashtë dhe tashmë është në vendin e katërt të Ligës së Parë, duke mbledhur 18 pikë. Liria në anën tjetër i ka punët më keq se gjakovarët. Prizrenasit janë në vendin e 12-të me vetëm tre fitore, ndërsa dje regjistruan humbjen e pestë në kampionat. Liria ka dhjetë pikë. Lider i Ligës së Parë është Istogu me 21 pikë dhe pa asnjë humbje, i përcjellur nga Gjilani me 20 dhe KEK-u me 18 pikë. Gjilani ka një ndeshje më pak se skuadrat e përmendura më lart.