VËLLAZNIMI - LIRIA

Derbi i rivalëve të vjetër fitohet nga Vëllaznimi
20 August, 2017 @18:55
Me fitoren e gjakovarëve është mbyllur dueli i rivalëve të vjetër që u zhvillua sot në Gjakovë, duel i cili mblodhi mbi 3000 shikues në stadiumin e qytetit në Gjakovë.
Një gol i Albutrint Morinës në minutën e 29’ doli të ishte i mjaftueshëm që gjakovarët ta fillojnë me fitore rikthimin e tyre në Superligë, e në anën tjetër debutimi i trajnerit Shkëmbi te Liria u mbyll me humbje minimale.
Goli i Morinës erdhi pas një akcioni të ndërtuar shumë mirë, ndërsa kapiteni gjakovar shënoi me qetësi nga një pozicion ballor pas një pasimi që erdhi nga Jeton Dushi.
Në anën tjetër, prizrenasit tentuan me të gjitha forcat ta gjejnë barazimin në pjesën e dytë, derisa një nga rastet që duhet përmendur është shtylla e goditur nga Florent Avdyli nga një distancë prej afro 30 metra. Megjithatë, goli i barazimit nuk erdhi në asnjë moment dhe fitorja i takoi gjakovarëve.
Xhiron e ardhshme, Vëllaznimi i shkon Drenicës, kurse Liria e pret Trepçën ‘89 në Prizren.