QEMAL STAFA
Derbi tiranas, i takoi Partizanit
13 March, 2015 @20:58
I mbushur dukej stadiumi derisa futbollistët e të dyja skuadrave filluan defilimin e tyre nëpër tepihun e gjelbër të Qemal Stafës.
Ndeshja u përshkrua nga një rivalitet i madh sportiv në fushë, derisa edhe referi ishte në nivel të detyrës së tij, ku portierët Stivi Frashëri i Tiranës dhe Alban Hoxha i Partizanit, patën shumë punë sonte.
Në një atmosferë të zjarrtë, Partizani ka dalë fitues në derbin e madh të kryeqytetit të Shqipërisë, duke e mposhtur Tiranën 2-1.
Kapteni maestral i Partizanit, Nderim Nexhipi, ka shënuar golin e parë të skuadër pas asistimit nga serbi Stevan Racic, derisa ky i fundi pak më vonë u përkujdes që të shënojë për 2-0, kur topin e shutuar fortë nga ish lojtari i Prishtinës, Mentor Mazrekaj e dëboi portieri i Tiranës, Stivi Frashëri.
Tirana u këndell në pjesë të dytë, kur Mario Morina uli epërsinë e Partizanit me golin e tij, por deri në fund të ndeshjes djelmoshat e Gugash Maganit nuk arritën të shënojnë edhe njëherë, përkundër se kishin rastet.
Në fund, Partizani doli fitues për të kapur me pikë Tiranën në tabelë pasi që tashmë me fitoren e verdhekuqëve të dyja skuadrat kanë nga 50 pikë në klasifikim të Kategorisë Superiore.
Kjo ka qenë fitorja e tretë e Partizanit të drejtuar nga Shpëtim Duro në katër xhirot e fundit të Superiores shqiptare.
Lider vazhdon të mbetet Skënderbeu kampion me 54 pikë, para Kukësit që ka 50 pikë.
Video
Golat nga derbi Tirana-Partizani