KLAUS GJASULA I THOTË LAMTUMIRË KOMBËTARES SHQIPTARE
Dha golin e parë dhe u përshëndet nga kombëtarja
30 August, 2024 @8:19
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula, është përshëndetur me kombëtaren shqiptare pas EUROs së fundit, pasi që ka marrë vendimin e tillë këtë mesjavë. Njeriu që shënoi golin e parë të tij me Shqipërinë në një ndeshje zyrtare, duke barazuar në EURO 2024 me Kroacinë në fund të takimit për 2-2, për t’ia siguruar pikën kuqezinjëve, ka hapur rrugë për të rinjtë që të plotësojnë ëndrrën.
“E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në “Stade de France” dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Europian. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet.
Gjithsesi, me ftohtësi kam gjykuar dhe kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr,” ka shkruar ndër të tjera Gjasula në llogarinë e tij në Instagram, që e transmetoi më pas edhe webfaqja zyrtare e Federatës përkatëse.
Gjasula numëron 29 ndeshje me Kombëtaren, duke debutuar më 7 shtator 2019 në ndeshjen Francë-Shqipëri, ndërsa ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku gjeti edhe rrugën e rrjetës për herë të parë me fanellën kuqezi në sfidën e paharrueshme Kroaci – Shqipëri, që përfundoi në barazim 2-2.
I lindur në Tiranë, tash 34 vjeç Klaus Gjausula tërë karrierën e tij e ka kaluar në klube gjermane, ndërsa së fundi në verë të vitit 2021 është transferuar nga Hamburgu në Darmstadt ku ende luan.