Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E DINAMOS

Dinamo i kthehet fitores, Drenica mposhtet pas 5 ndeshjesh pa humbje

Foto: FCDinamo/ fb

Dinamo i kthehet fitores, Drenica mposhtet pas 5 ndeshjesh pa humbje


26 April, 2024 @19:14

Dinamoja e Bylbyl Sokolit ka arritur t’i kthehet fitores në hapje të xhiros XXIV, duke e mposhtur Drenicën 2-1 sot në Ferizaj. Me 3 pikët e fituara sot, Dinamoja përkohësisht ngritet në pozitën e dytë, pozitë kjo që e humbi pas disfatës në xhiron e kaluar prej Vëllaznimit në Gjakovë.

Sot, ka qenë Ramush Ramadani që i dha epërsinë ferizajasve në pjesë të parë, ndërsa zëvendësuesi Henry Chibueze shtoi epërsinë thellë në pjesë të dytë, kur tashmë Dinamoja po kërkonte mbylljen e lojës. Ramadani në pjesë të parë u asistua nga Genc Berisha, gjuajtja e lirë e të cilit në zonë, kapërceu lojtarët mbrojtës, ndërsa Ramadani me një driblim gjeti portën e Diego Moralesit për epërsi. Chibueze në pjesë të dytë u asistua nga Dren Gashi.

Por, përkundër se Dinamoja kishte epërsi dygolëshe, Drenica kërkoi më shumë nga loja që nuk kishte përfunduar, ndërsa për ta u lehtësua shumëçka pas kartonit të dytë të verdhë të Kenan Oranës (74’). Prej këtij momenti kuqezinjtë e drejtuar nga Afrim Jashari u hodhën plotësisht në sulm, ndërsa Dinamoja shikonte mundësitë përmes kundërsulmeve.

TABELA AKTUALE

Sulmet e Drenicës dhanë fryt pak para fundit të ndeshjes, kur mbrojtësi Visar Berisha me përvojën e tij u gjend më së miri në zonë, për të shënuar në portën e Leutrim Rexhepit, pas një gjuajtjeje të lirë në zonë të vendasve. Drenica tentoi edhe më, për të arritur barazimin gjatë kohës shtesë (5), por atëherë Sokoli shfrytëzoi mundësinë e zëvendësimeve për të kaluar kohë, që në fund edhe i solli fitoren. Dinamo - Drenica 2-1 [Ramush Ramadani 38’, Henry Chibueze 70’ - Visar Berisha 87’].

Pas 24 ndeshjeve Dinamo është e dyta për momentin me 43 pikë, një më shumë sesa ndjekësja Trepça’89 që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar (luan gjatë vikendit). Ndërkaq Drenica është e katërta, pa gjasa për të siguruar Superligën dhe e sigurt në Ligë të Parë, me 34 pikë prej 24 ndeshjesh aktualisht.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë