MERKATO

REUTERS
Ditë e nxehtë në Europë
3 September, 2013 @13:39
Skuadra më e përfolur dje nga Premier League ishte Arsenali. Ekipi londinez u forcua me transferimin e Mesut Ozilit nga Real Madridi, derisa Liverpooli i kompletoi transferimet e Mamadou Sakhos nga PSG, Tiago Ilorit nga Sporting Lisbon dhe Victor Mosesit nga Chelsea. Ky i fundit në Anfield Road do të luajë si lojtar i huazuar.
Ekipi i Chelseat, i cili më parë e kishte përforcuar sulmin me Samuel Eto’on, përveç Mosesit e largoi edhe Romelu Lukakun, i cili u huazua në Everton. Këta të fundit në skuadrën e tyre e shtuan edhe mesfushorin e Manchester Cityt, Gareth Barry dhe James McCarthyn nga Wigani, derisa Maroune Fellaini dhe Victor Anichebe u larguar në drejtim të Manchester Unitedit, përkatësisht West Bromwichit.
Përveç tyre, aktive ishte edhe skuadra QPR që e transferoi Assou-Ekotton nga Tottenhami, West Hami që e transferoi sulmuesin Sessegnon nga Sunderlandi, Aston Villa që e transferoi sulmuesin çek Libor Kozak nga Lazio dhe Sunderlandi që e transferoi Andrea Dossenan nga Napoli.
SPANJA
Në Spanjë padyshim klubi që e bëri transferin më të madh ishte Real Madridi. Mbretërit paguan dëmshpërblim rekord për Gareth Bale-in e Tottenhamit, derisa përveç Ozilit, i cili shkoi në Arsenal, u largua edhe Kaka Leite në drejtim të ish skuadrës së tij, Milan.
Një tjetër ekip nga Madridi, Atletico, ishte po ashtu aktive në ditën e fundit të afatit kalimtar, pasi u përforcuan me Josuha Guilavoguin e Saint Etienne-it dhe Toby Alderweildin e Ajaxit. Gjithashtu edhe Espanyoli bëri lëvizje të rëndësishme me transferimin e rumunit Gabriel Torje nga Udinese.
ITALIA
Lëvizja më e madhe në Itali ishte padyshim kalimi i Kaka-s në Milan. Ekipi i ri i Serie A-së, Sassuolo, u tregua aktive me transferimin Luca Marrones nga Juventusi dhe Antonio Floro Floresit nga Genoa, ndërsa shqiptarin nga Maqedonia, Agim Ibraimi, e rrëmbeu skuadra e Cagliarit.
GJERMANIA
Në krahasim me shtetet tjera, Gjermania mbeti më e qetë në ditën e fundit të afatit kalimtar. Nga Wolfsburgu u larguan Patrick Helmes në drejtim të Kolnit, Makoto Hasebe në drejtim të Nurnbergut dhe Tolga Cigerci në drejtim të Hertha Berlinit. Po ashtu edhe futbollisti shqiptar i Wolfsburgut, Ertan Hasani, u transferua në skuadrën Brondby.
FRANCA
Në Francë transferimi më i përfolur ishte kalimi i Florian Thauvin nga Lille në Marseille për 15 milionë euro. Ekipi nga Stade Velodrome po ashtu i siguroi edhe shërbimet e talentit të Lorientit, Mario Lemina, për të cilin u shpenzuan katër milionë euro.