NGA KONFERENCA PËR SHTYP E KAPITENIT
Djimsiti: Spanja nuk është mision i pamundur, Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje
23 June, 2024 @20:30
Kapiteni i reprezentacionit të Shqipërisë, Berat Djimsiti ka dalë para mediave në konferencë për shtyp para ndeshjes së fundit të fazës grupore. Shqipëria do të luajë në Dusseldorf ndaj Spanjës. Spanja ka siguruar kualifikimin tutje për në të tetën e finales.
Shqipëria ka vetëm një pikë dhe nesër do të bëj çmos për të kërkuar kualifikimin historik, përkundër se ka përballë njërin nga favoritët për të fituar evropianin, EURO 2024.
E kapiteni Djimsiti ka thënë se djemtë janë gati për ndeshje. Ka treguar se nuk ka mision të pamundur në futboll, ndërsa ka pranuar se sulmuesi Mirlind Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje për atë që ka bërë. Daku u pezullua për dy ndeshjet e radhës zyrtare të Shqipërisë nga UEFA-ja.
◼ Ndeshja ndaj Spanjës?
—Spanja është një ekip shumë i fortë, por të gjithë çunat janë gati për këtë sfidë nesër. Gjëja më e rëndësishme është që jemi në garë dhe kemi mundësi ta kalojmë grupin dhe do bëjmë gjithçka mundemi që ta bezdisim Spanjën.
◼ Spanja me formacionin e dytë ndaj Shqipërisë?
—Nuk ndikon aspak sepse edhe formacioni i dytë i Spanjës ka të njëjtin nivel si formacioni i parë. E dimë kë kemi përballë i njohim kundërshtarët. Nuk e mendojmë aspak që ata do luajnë me ekipin e dytë, por do e marrim sfidën po aq seriozisht siç do ishte po të luanin me ekipin e parë.
◼ Pezullimi i Dakut nga Komisioni i UEFA-s?
—Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme. Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje. Ne do të kemi kundërshtar të vështirë nesër dhe vetëm për këtë do mendojmë.
◼ A është një mision i pamundur fitorja ndaj Spanjës?
—Asgjë nuk është e pamundur në jetë, por sigurisht që është ndeshje e vështirë. Ne sigurisht që do të bëjmë maksimumin dhe do tentojmë që t’i shqetësojmë kundërshtarët.
◼ UEFA ka gjobitur sërish FSHF-në për shkak të tifozëve?
—Jam këtu për të folur për çështjen e kualifikimit, këto janë gjëra për të cilat përkujdeset UEFA. Arsyeja pse jemi këtu ka të bëjë me ndeshjen dhe për atë që do bëjmë nesër dhe do të bëjmë më të mirën.
Përballja Shqipëria-Spanja luhet nesër mbrëma me fillim prej orës 21:00 në Dusseldorf, në stadiumin “Dusseldorf Arena” që ka kapacitet prej 46 mijë e 264 ulëseve.