NGA KONFERENCA PËR SHTYP
Sylvinho: T’i zvogëlojmë hapësirat
23 June, 2024 @20:15
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, para ndeshjes ndaj Spanjës ka folur për mediat në konferencë për shtyp, ndërsa ka thënë se pos rëndësisë së veçantë që ka ndeshja ndaj spanjollëve për ‘te, ajo do të jetë edhe vendimtare për kuqezinjtë.
Shqipëria ka marrë 1 pikë deri tash në Grupin B të EURO 2024, pasi që pas humbjes nga Italia barazoi me Kroacinë. Shqipëria do të kërkojë të befasojë Spanjën që tashmë u kualifikua në të tetën e finales, për të shpresuar në kualifikim historik.
◼ Keni mundësi për t’u kualifikuar dhe për të bërë histori me Shqipërinë, çfarë do të thotë kjo gjë për ju?
—Është emocionuese dhe për më tepër është një pyetje interesante. Është e rëndësishme për familjen time. Për mua është fantastike. Spanja është skuadër brilante, do të jetë një ditë që nuk do ta harroj. Kemi përfunduar në grupin e vdekjes dhe tani na jepet një mundësi shumë e madhe kundër një prej skuadrave më të mira në botë.
◼ Spanja mund të luajë me formacionin e dytë nesër?
—E dini më mirë se unë që Spanja e ka në ADN-në e saj zotërimin e topit, ka shumë cilësi në mesin e fushës. Ka diçka tjetër, lojtarë shumë të mirë në krahë. Ka disa lojtarë shumë të shpejtë në krahë dhe qendër. Kanë shumë cilësi edhe në mbrojtje, të lejojnë shumë pak hapësira, janë të organizuar. Ka fituar me Kroacinë dhe Italinë, ka fituar grupin, për ne do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, mezi presim të luajmë kundër Spanjës.
◼ Çfarë do të thotë për Shqipërinë të kualifikohet në raundin e 1/16-ave?
—Kemi punuar me skuadrën Kombëtare me muaj të tërë. Kemi qenë në Tiranë dhe kemi parë përkushtim të madh dhe besim nga njerëzit që punojnë për këtë skuadër. Në Shqipëri ka 3 milionë shqiptarë por dhe 10 milionë në botë. Gjeneratat e tanishme po gëzojnë ndeshjet e Kombëtares në Europian. Po bëjmë punë shumë të mirë. Nëse kalojmë grupin është më mirë. Do jetë kënaqësi të luajmë në mesin e 16 skuadrave më të mira.
◼ Shqipëria ka shanse për t’u kualifikuar edhe me një barazim, a do të futeni në fushë për një pikë?
—Unë në karrierën time nuk kam parë një trajner që shkon në fushë për barazimin. Nëse ke një skuadër të mrekullueshme luan për të fituar, por varet nga çfarë ndodhë gjatë ndeshjes. Nëse duam të kalojmë, duhet të fitojmë. Është e vërtetë që mund të kalojmë me dy barazime, por duhet të luajmë për të fituar dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në minutat e fundit.
Përballja Shqipëria-Spanja luhet nesër mbrëma me fillim prej orës 21:00 në Dusseldorf, në stadiumin “Dusseldorf Arena” që ka kapacitet prej 46 mijë e 264 ulëseve.