SKENDERBEU - TEUTA
Dramë në Korçë, Shkëmbi triumfon ndaj ish ekipit
1 December, 2018 @20:09
Njeriu që karrierën e tij të bujshme si lojtar e përfundoi te Skënderbeu, Blendi Shkëmbi, ndërsa atë të kryetrajnerit e filloi me Lirinë e Prizrenit, ka arritur sot fitore të madhe në një ndeshje shumë interesante.
Teuta e drejtuar nga Shkëmbi ka triumfuar 0-1 në Korçë ndaj Skënderbeut, në një ndeshje ku korçarët shënuan tre herë (të tre gola të anuluar), dështuan të shënojnë penallti (mbrojti portieri i durrësakëve, Isli Hidi) si dhe goditën shtyllën përmes Oto Johnit.
E për të qenë gjithçka edhe më e dhimbshme për Skënderbeun, ata përveç se humbën hapin ndaj Partizanit lider, nuk arritën as të marrin pikë sot, duke pasur parasysh se ekipi i Teutës luajti më shumë se një pjesë me 10 lojtarë në fushë!
Teuta fitoi dhe me tri pikë të reja futet në garë befasuese për kreun e klasifikimit, ndërsa Skënderbeu që po drejtohet nga ish portieri i ekipit dhe i kombëtares Orges Shehi, do të duhet të kërkojë pikët e plota dhe këndelljen në një ndeshje tjetër.
Golin e vetëm dhe të fitores për Teutën e shënoi senegalezi Sekou Camara, në minutën e 30 të ndeshjes.