DRENICA-TREPÇA'89
Drenica mposht kampionin për t’iu kthyer fitoreve
3 November, 2017 @14:00
Trepça’89 ka rënë në Skenderaj. Drenica që nuk kishte fituar që 4 xhiro trepikësh, sot ka arritur që të shënojë fitore ndaj kampionit aktual të Kosovës, duke e mposhtur me rezultat 1-0.
45 minutat e para të ndeshjes kaluan pa gola. Drenica ishte e para që provoi të shënojë me Hysen Tahirin, ndërsa më pas Trepça’89 tentoi me Henri Chibuezen, por gol s’kishte. Njejtë, para fundit të pjesës së parë edhe tentimi i Oto Johnit përfundoi në duart e portierit Flamur Neziri të Drenicës.
Golin e vetëm dhe vendimtar të ndeshjes e ka shënuar Genc Hamiti, pasi që gjeti vend (min. 64’) para Lapidar Lladrovcit dhe Ilir Izmakut për të shënuar bukur.
Hamiti tashmë i është afruar kreut të klasifikimit të Superligës në listën e golashënuesve, duke shënuar sot golin e gjashtë të tij personal.
Në vazhdim Trepça’89 provoi gjithçka sipas mundësive të saja, por porta e Flamur Nezirit mbeti e paprekur deri në fund të ndeshjes dhe kështu trajneri Bekim Shotani festoi në fund 3 pikëshin e parë pas 4 xhirove në Superligë.
Drenica me këtë fitore kap kuotën e 18 pikëve në klasifikim, derisa Trepça’89 mbetet me 21 pikë në pozitën e katërt.
Xhiroja e radhës e gjen Drenicën mysafire të Prishtinës, derisa 89’shi pret Vllazninë e Pozharanit.