VAZHDOJNË ME FITORE NË SHTËPI

Foto: FCMalisheva/ fb
Drilon Hazrollaj vendimtar, Malisheva fiton përsëri në shtëpi
10 November, 2023 @15:11
Ylli i ekipit të Malishevës dhe reprezentuesi i Kosovës U21, Drilon Hazrollaj, është treguar vendimtar sot, ndërsa ekipi i tij i drejtuar nga trajneri Qëndrim Kida ka shënuar fitoren e dytë me radhë në shtëpi, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat minimal, 1-0 [Drilon Hazrollaj 84’pen.].
Hazrollaj ka marrë përgjegjësinë për të shënuar vonë në ndeshje, nga penalltia, për t’ia dhënë fitoren e madhe Malishevës, në ditët kur lufta për të qenë sa më larg pjesës së poshtme është mjaft e nxehtë. Malisheva tashmë katër ndeshje nuk njeh humbje, ndërsa aktualisht ka 20 pikë nga 14 ndeshje dhe është e katërta në renditje.
Gjilani në anën tjetër nuk ka mundur të shmang humbjen e shtatë kampionale, përkundër tentimeve në fund të ndeshjes, por ka qenë portieri Flamur Gashi që ka mbrojtur disa tentime të nxënësve të Gentjan Mezanit. I shtati në renditje, me 14 pikë nga 13 ndeshje është aktualisht Gjilani në tabelë.