Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LIDERI VAZHDON ME FITORE

Fitore rutinore për Ballkanin, përkundër mungesave

Fitore rutinore për Ballkanin, përkundër mungesave


13 November, 2023 @15:47

Edhe pse i mungonin lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova, mesfushori qendror Qëndrim Zyba, që janë në detyrë me kombëtaren e Kosovës, për Ballkanin e Ilir Dajës me pak “shtrëngim” në pjesë të dytë erdhi edhe fitorja e dhjetë kampionale në kuadër të ndeshjes së fundit të xhiros XIV.

Si vendas sot në stadiumin e qytetit të Suharekës, Ballkani mposhti Dukagjinin me rezultat 3-1 [Nazmi Gripshi 15’pen., Almir Kryeziu 48’, Bleart Tolaj 89’ — Victor Hugo 44’].

Pas golit të ardhur në fillim të ndeshjes nga penalltia, kur Nazmi Gripshi ia dha epërsinë kampionit, pasi që më parë një mbrojtës i Dukagjinit kishte luajtur me dorë pas një goditjeje në tollovi të zonës, Victor Hugo barazoi për mysafirët, për të bërë pushimin e pjesës së parë më interesant.

TABELA AKTUALE E SUPERLIGËS

Mirëpo, me të nisur pjesa e dytë, një goditje me të parën e Almir Kryeziut, nga zona e 16-shit, përfundoi në portë pas një reagimi të ngathët të Altik Muhaxhirit të Dukagjinit në portë, pasi që portieri i parë i ekipit të tyre Kenan Haxhihamza, gjithashtu është në detyrë me Kosovën.

Pasuan zëvendësimet e shumta nga të dyja skuadrat. Katër të tillë i bëri Daja deri në minutën e 80, ndërsa numrin e njëjtë të lojtarëve e ndërroi edhe Armend Dallku. Kjo periudhë e ndeshjes kaloi pa raste konkrete. Ndërsa nga një gjysmërast, zëvendësuesi Bleart Tolaj prej afërsie godet me kokë, që me një prekje në mbrojtje përfundon në portë të Muhaxhirit për përfundimtaren, 3-1.

Ballkani aktualisht ka 12 ndeshje të luajtura nga 14 xhiro dhe ka 7 pikë më shumë sesa ndjekësi i parë Drita. Ballkani ka 32 pikë, ndërsa ende nuk ka pësuar humbje këtë stinor. Dukagjini në anën tjetër nga 14 ndeshje të luajtura në po aq xhiro, është i gjashti në renditje me 17 pikë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga