FITORE E GJILANASVE
Drita dimëron jashtë zonës së rrezikshme
23 November, 2014 @15:15
Skuadra e Dritës ka arritur të shënojë fitore të madhe dhe të rëndësishme ndaj Drenicës sot në Gjilan.
Bardhekaltërit me nga dy gola në çdo pjesë, kanë shënuar fitore 4-0 duke ia kthyer në një mënyrë Drenicës borxhin, për humbjen 5-0 në Bajram Aliu më parë gjatë stinorit.
Njëri ndër lojtarët më të dalluar të Dritës, Shqiprim Kelmendi ka hapur serinë e golave për ekipin e tij, derisa atë e vazhdoi Florim Berisha, për të shkuar në pushim të rehatshëm 2-0.
Në pjesën e dytë, gjilanasit vazhduan me lojë të mirë. Së pari Elmedin Murati ngrit epërsinë, kur qëllon shtyllën dhe topin e rikthyer e fut në portë të drenicakëve.
E më vonë, edhe Taulant Haliti ka realizuar me kokë, pas një asistimi nga Kelmendi për fitoren e parë të gjilanasve pas katër javëve.
Fitoren e fundit në Superligë, gjilanasit e shënuan ndaj Llamkosit si vendas.
E tash, me 17 pikë të tubuara, do të dimërojnë jashtë zonës së rrezikshme në Superligë, që rikthehet në pranverë.