LLAPI 0-4 DRITA
Drita i shkakton Llapit humbjen më të thellë të stinorit
5 July, 2020 @18:56
Me katër gola të shënuara si mysafir, Drita ka tejkaluar edhe një pengesë në rrugëtim drejt titullit kampion.
Ekipi i Ardian Nuhiut që prej fillimit të ndeshjes ka dominuar dhe kështu me lehtësi ka kaluar Llapin dhe atë si mysafir në fitore të thellë, që ka qenë më e rënda këtë stinor në Superligë për llapjanët 0-4 [Mërgim Pefqeli 8ag, Kastriot Rexha 14, Erjon Vuçaj 83, Izair Emini 88].
Autogoli i Pefqelit i dha epërsinë Dritës herët, ndërsa pas asistimit të Astrit Fazliut në minutën e 14, Kastriot Rexha shtoi avantazhin e liderit në 0-2.
Deri në fund të pjesës së parë u shënuan disa raste, ndër të cilët më i theksuari ishte i Mentor Zhdrellës, që nga gjuajtja e lirë për pak qëlloi portën e Faton Malokut (37’).
Në pjesë të dytë Tahir Batatina bëri disa zëvendësime në ekip, duke futur në lojë Nertil Hoxhaj dhe Labinot Osmani në sulm. Pastaj edhe Egzon Krasniqin, por ndërrim në rezultat nuk ndodhi.
E në 10 minutëshin e fundit, Drita goditi edhe dy herë në portën e llapjanëve. Së pari ishte Erjon Vuçaj që foli me përvojën e tij duke shënuar nga distanca gol të bukur (83’) për 0-3, e pas kësaj edhe zëvendësuesi me përvojë Izair Emini shënoi për të përcaktuar rezultatin përfundimtar 0-4 (88’).
Me këtë fitore Drita rikthen epërsinë 4 pikëshe ndaj Prishtinës në krye të klasifikimit, ndërsa Llapi mbetet edhe këtë xhiro i gjashti, me rrezik që prej javës tjetër të bie edhe mëposhtë.