DRITA 3-1 FERONIKELI
Drita kthen kreun, Feronikeli në krizë
1 May, 2021 @17:03
Pas barazimit të befasueshëm në xhiron e kaluar ndaj Besës së mysafir, kampioni aktual i Superligë Drita ka shënuar fitore të lehtë ndaj Feronikelit në krizë të rezultateve për të rikthyer kreun.
Gjilanasit kanë avancuar që prej minutës së 16 të ndeshjes dhe prej atëherë asnjëherë nuk shikuan mbrapa, për të çuar rezultatin përfundimtar në 3-1 [Festim Alidema 16p., Astrit Fazliu 49, Xhevdet Shabani 74 - Marko Simonovski 83].
Drita ka dominuar përgjatë gjithë ndeshjes së sotme dhe Festim Alidema pas rastit të parë të dështuar, ka shënuar nga penalltia (16) për 1-0. Më pas ai humbi një penallti (27) dhe një rast tjetër ideal për të mbyllur pjesën e parë me rezultat minimal 1-0.
Në pjesë të dytë, loja e mirë e Astrit Fazliut u kurorëzua me gol, kur u asistua nga Betim Haxhimusa (49) 2-0 dhe kontrolli tërësisht kaloi te djemtë e Ardian Nuhiji që deri në fund të ndeshjes shënuan edhe njëherë përmes Xhevdet Shabanit (74).
E tëra që bëri ekipi i Klodian Duros ka qenë goli i nderit, shënuar përmes futbollistit më të dalluar të tyre në sulm, Marko Simonovski (83) që qëlloi saktë portën e vendasve pas goditjes me kokë për 3-1 përfundimtare.
Drita kthen me fitore lidershipin në klasifikim dhe do të shpresojë që dyshja tjetër që po ndjek titullin të gabojë. Ndërsa Feronikeli, që tashmë 4 ndeshje nuk di për fitore është në gjendje tejet të rrezikuar dhe mund të bie edhe nga elita nëse nuk fiton në ndeshjet e mbetura.