ARBËRIA - GJILANI
Gjilani e lë duarthatë Arbërinë
1 May, 2021 @16:42
Skuadra e Gjilanit ka shënuar fitore si mysafire në ndeshjen kundër Arbërisë, në një përballje ku u shënuan hiç më pak se 7 gola.
Megjithëse ekipit nga Dobraja fitorja iu desh shumë më shumë për shkak të pozitës së pavolitshme në tabelë, në fund fitores iu gëzua Gjilani, i cili triumfoi me rezultat 3-4 [Marclei Santos 10, Almir Kryeziu 19, Kreshnik Bahtiri 53, - Besar Musolli 4, Gerhard Progni 38, 85, Shend Kelmeni 89].
Ndeshja filloi shpejt me dy gola brenda 11 minutave. Së pari Besar Musolli e kaloi Gjilanin në epërsi në minutën 5’, ndërsa gjashtë minuta më pas braziliani Marclei Santos shënoi nga penalltia.
Në pjesën e parë pati edhe dy gola, nëpërmjet Almir Kryeziut (20’) të Arbërisë dhe Gerhard Prognit (39’) të Gjilanit për të shkuar skuadrat në pushim me rezultat 2-2.
Ekipi nga Dobraja gjeti golin përsëri në minutën 52’ me golin e Kreshnik Bahtirit, por në 10 minutëshin e fundit gjithcka ndryshoi në të mirë të gjilanasve.
Progni shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes për rezultatin 3-3 në minutën 83’, ndërsa rezultatin përfundimtar e përcaktoi Shend Kelmendi 89’ i cili e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë daljen e gabuar të portierit vendas.
Ky rezultat i ka vështirësuar edhe më shumë punët skuadrës së Arbërisë, e cila vazhdon të mbetet në pozitën e parafundit në tabelë.