GIANNI DE BIASI
‘Dua fitore’
23 March, 2015 @13:04
Ndeshje vendimtare. Kështu është quajtur nga shumëkush takimi i Shqipërisë ndaj Armenisë dhe kjo kuptohet për shkak të gjendjes aktuale në Grupin I kualifikues.
Shqipëria do të kërkojë fitoren e dytë në Grupin I, në përballjen e së dielës ndaj armenëve në Elbasan Arena.
Por, çka mendon trajneri Gianni De Biasi para kësaj ndeshjeje?!
Këtë, ai e ka treguar sot në konferencën për shtyp të mbajtur në zyre të FSHF-së, pasi që shpalli listën e futbollistëve të ftuar.
“Forca e Shqipërisë është grupi, prandaj të gjithë këta futbollistë ndodhen këtu. Kam ftuar lojtarët që po kalojnë formë të mirë, pasi i kam ndjekur me kujdes gjatë kësaj periudhe dhe mendoj se do të japin maksimumin edhe ndaj Armenisë,” ka shpjeguar De Biasi numrin e 28 futbollistëve të ftuar në përgatitjet përfundimtare para ndeshjes.
“Për formacionin do të vendosi gjatë javës, pasi që dua të shoh nga afër kondicionin e lojtarëve. Vetëm fitorja do të më bënte të lumtur ndaj Armenisë, prandaj barazimi as që më intereson dhe dua të hyjmë në fushë vetëm për të marrë fitoren,” ka thënë ndër të tjera italiani qartësisht.
“Mirëpo, dua të jemi me këmbë në tokë. Nuk duhet të festojmë para ndeshjes, pasi për këtë nuk kemi arsye, festa duhet të bëhet pas ndeshjes,” ka përfunduar në mënyrë optimiste italiani 56 vjeç deklaratën e tij dhënë për media.
Shqipëria luan ndaj Armenisë më 29 mars në kuadër të Grupit I kualifikues për EURO 2016.