FERRONIKELI - HAJVALIA SOT

Nga përballja e mëparme ndërmjet Ferronikelit dhe Hajvalisë/ Foto: KF Ferronikeli Offiicial
Dueli që vendos kampionin vjeshtor
2 December, 2015 @8:27
Me fillim nga ora 13 në “Shahin Haxhiislami” të Pejës, Ferronikeli pret Hajvalinë në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor të Superligës.
Ferronikeli ka të suspenduar stadiumin e vetë “Rexhep Rexhepi” pas incidentit ndaj Gjilanit në ndeshjen e shkuar aty dhe për këtë takimi do të zhvillohet në Pejë, që llogaritet të ketë njërën ndër fushat më të mira në vend.
Dueli në fjalë është derbi i kreut të tabelës ku takohen i pari (Ferronikeli) me të katërtin (Hajvalia). Ferronikeli do të shpallet kampion vjeshtor edhe me humbje me rezultat minimal në këtë ndeshje. Ndërsa për t’u bërë Hajvalia kampione vjeshtore i duhet fitore me minimum dy gola epërsi, në të gjitha rastet tjera drenicakët bëhen kampionë të vjeshtës.
Në përballjen e shkuar të këtij stinori, në ndeshjen e zhvilluar në Kishnicë, Hajvalia nën drejtimin e Ismet Munishit kishte shënuar fitore ndaj djelmoshave kampionë të Gani Sejdiut me rezultat 3-2.
Te Ferronikeli, golashënues më i mirë deri tash është Mentor Zhdrella me 5 gola të shënuara (të gjitha këto nga ndërprerjet, 3 nga gjuajtjet e lira dhe 2 nga penalltia). Ndërsa te Hajvalia, besoni apo jo, mbrojtësi Liridon Leci është golashënues më i mirë me gjithashtu 5 gola të shënuara.
Sa i përket mbrojtjes së ekipit, Hajvalia është dukshëm më mirë në tabelën e portave të paprekura sesa Ferronikeli. Hajvalia në 8 nga 16 ndeshje nuk ka pranuar gol, derisa Ferronikeli në vetëm 3 ndeshje nga 16, sa janë zhvilluar deri tani.
TOP GOLASHËNUESIT E SUPERLIGËS
Moti dhe terreni janë të përshtatshëm për lojë sot, siç parashikojnë meteorologët, prandaj pritet një duel i fortë dhe që i përngjan futbollit në Pejë.