REAGIMI I DUKAGJINIT
Dukagjini kërkon falje, por s’merr masa
13 May, 2019 @23:51
Gabimi trashanik i ekipit të Dukagjinit që çoi në humbjen e tre pikëve dhe mund t’i kushtojë me mosplasim në Superligë - ka bërë që ekipi të kërkojë falje nga adhuruesit. Por, ekipi s’ka marrë masa ndaj përgjegjësve për këtë.
Dukagjini futi në lojë ndaj Vushtrrisë sulmuesin e dalluar Granit Elezaj, ku ky i fundit shënoi katër herë për ekipin klinas në fitoren 4-3 (shiko golat dhe raportin) ndaj liderit të Ligës së Parë. Ky ishte rezultati i arritur në fushë.
Vetëm një ditë më vonë, Vëllaznimi u ankua se Elezaj nuk ka pasur të drejtë loje për shkak të kartonëve dhe pasi që FFK vërtetoi këtë, KG regjistroi ndeshjen Dukagjini 0-3 Vushtrria.
Tash lufta për kalim direkt në Superligë u bë edhe më e ngushtë mes Dukagjinit, Besës e Vëllaznimit.
Në anën tjetër Dukagjini ka lëshuar këtë reagim, duke sqaruar situatën dhe duke premtuar Superligën.
“REAGIM! Klubi Futbollistik Dukagjini sqaron situatën lidhur me vendimin e komisionit të garave për ndeshjen Dukagjini-Vushtrria.
Sipas evidencave të Klubit tonë lojtari i KF “Dukagjini”, Granit Elezaj me nr. Lic.7 dhe ID002360M96, numrin e kartonëve katër (4) e ka arritur në ndeshjen Vitia-Dukagjini java e 23-të. Evidenca: (javën 1-rë) Dukagjini-Fushë Kosova, (javën e 11-të) Istogu-Dukagjini, (javën e 22-të) Dukagjini-Vllaznia P, (javën e 23-të) Vitia-Dukagjini.
Dhe pas ndeshjes ndaj KF Vitia, Futbollisti Granit Elezaj ka pushuar në javën e 24-të në ndeshjen ndaj KF Trepça (dëshmi protokolli i ndeshjes), me këtë rast ka zeruar numrin e kartonëve.
Megjithatë nga FFK dhe nga evidenca e protokolleve të ndeshjeve na vërtetohet se nga Klubi jonë është bërë gabim teknik dhe në ndeshjen Istogu-Dukagjini, java e 11-të, lojtari jonë Granit Elezaj nuk figuron i ndëshkuar në protokollin e ndeshjes.
KF DUKAGJINI JU KËRKON FALJE TË GJITHË QYTETARËVE TË KLINËS DHE I FALENDERON PËR MBËSHTETJEN MASIVE QE PO I JAPIN KLUBIT, ME PREMTIMIN SE NË DY NDESHJET E RRADHËS DO TË JAPË MAKSIMUMIN PER TË ARRITUR SUPERLIGËN,” - shkruan reagimi i ekipit.
Në dy xhirot e fundit të Ligës së Parë, Dukagjini së pari i shkon 2 Korrikut pastaj pret Drenasin.