DUKAGJINI - VUSHTRRIA
Vushtrria siguron Superligën me humbje në derbi
12 May, 2019 @19:24
Përkundër se janë mposhtur 4-3 në përballjen derbi ndaj Dukagjinit, Vushtrria ka festuar në fund të ndeshjes!
Lajmi i mirë për vushtrriasit ka ardhur nga Gjakova, ku Vëllaznimi ka mposhtur Besën, që i ka mundësuar Vushtrrisë që matematikisht të sigurojë kualifikimin në Superligë nga Liga e Parë.
Sa i përket ndeshjes së sotme derbi, ajo ka qenë plotësisht e hapur dhe ekipet kanë luajtur pa kalkulime.
Dukagjini avancoi me Granit Elezaj 1-0 (10’), ndërsa mysafirët barazuan shpejt me Kastriot Selmanin 1-1 (15’).
Më pas ekipi i Samuel Nikajt doli në epërsi. Ka qenë Dren Ahmeti që shënoi për 1-2 (25’), para se Granit Elezaj i disonuar të barazojë 2-2 (32’).
Nuk ka vonuar shumë, Elezaj ka kompletuar hat-trickun me golin e shënuar pak para fundit të pjesës së parë për 3-2 (42’). Me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim 15 minutësh.
E në pjesë të dytë Dior Zabërgja ka barazuar përsëri për vushtrriasit. Ai shënoi për 3-3 (70’). E krejt në fund vendasit nga Klina nuk lejuan t’iu ikë fitorja nga ndeshja kur shënuan për 4-3 (85’). Elezaj kompletoi ndeshjen me 4 gola të shënuara!
Me këtë fitore Dukagjini është vetëm një fitore larg sigurimit të Superligës, ndërsa Vushtrria tashmë është anëtare e re re Superligës 2019/20.
Në xhiron e parafundit të stinorit Dukagjini i shkon 2 Korrikut në Prishtinë, ndërsa Vushtrria vulosjen e titullit kampion të Ligës së Parë do ta kërkojë ndaj Ramiz Sadikut në shtëpi.