KLODIAN DURO
Duro: Bëmë super paraqitje, na mungoi fati në fund
24 April, 2021 @17:56
Trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, barazimin e sotëm me rezultat 1-1 me Drenicën e ndërlidhi me mungesën e fatit.
Nikli pati epërsinë që nga fillimi i ndeshjes, ndërsa drenicakët rezultatin e barazuan krejt në fund.
Duro duke komentuar ndeshjen, tha se ekipi i tij pati paraqitje shumë të mirë, por se duhet të punohet akoma më shumë për ta kthyer edhe fatin në anën e tyre.
“Kemi bërë një super paraqitje, ashtu siç i ka hije Feronikelit. Jam i kënaqur me lojën, pavarësisht që nuk morëm pikët e plota, por ky ishte fati jonë. Ne nuk do të dorëzohemi, do të shikojmë përpara që në fund të rregullojmë diçka më mirë që edhe fati të jetë në anën tonë. Ishte një ekzekutim briliant, por ne nuk duhej ta çonim ndeshjen deri aty në atë ekzekutim në sekondën e fundit. Por kjo ishte një super paraqitje e skuadrës sonë, me gjithë elementet që ka futbolli.”
“Të vish në Drenicë, të dominosh lojën dhe të luash me logjikë për fitore dhe 3 pikë, që mendoj se do të ishin plotësisht të merituara, lë shije jo të mirë në fund për shkak të rezultatit. Megjithatë jam i kënaqur sepse e kemi ruajtur distancën me ndjekësit tanë, por mbi të gjitha do të mundohemi të ngjitemi më lartë deri në fund të kampionatit”, tha Duro për Art Sport.