JUVENTUS - MILAN
Dybala vendos derbin, Milani bie në fund
10 March, 2017 @22:40
Me fitoren e ‘Zonjës së Vjetër’ u mbyll dueli hapës i xhiros në Serie A.
Në një takim që u dominua nga Juventusi, fati i takimit u vendos në sekondat e fundit, përkundër faktit që ndeshja mund të mbyllej shumë më herët sikur sulmuesit bardhezi të ishin më të koncentruar para portës kundërshtare gjatë kohës së rregullt. Goli i epërsisë u shënua nga mbrojtësi Benatia, i cili e finalizoi një akcion të ndërtuar nga dyshja ameriko-latine Dybala - Alves.
Në anën tjetër, Milani qëndronte prapa, duke pritur që të rrezikonte me kundërsulme dhe pikërisht në këtë mënyrë erdhi edhe goli i barazimit, me kolumbianin Bacca që nuk e shpërdoroi mundësinë e vetme për shënim që e kishte pothuajse gjatë gjithë ndeshjes.
Pjesa e dytë përsëri kaloi me Juventusin që kishte posedim më të madh të topit dhe më shumë mundësi për shënim, mirëpo një Milan i disciplinuar dhe një Donnarumma në formë, bënë që gol të mos kishte deri në sekondat e fundit, moment në të cilin De Sciglio luajti me dorë në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti për Juventusin. E nga pika e bardhë, i pagabueshëm u tregua argjentinasi Dybala, i cili shënoi për 2-1 dhe i dha fitoren juventinëve.
Kjo fitore e vazhdon ‘betonimin’ e Juventusit si lider i pakontestueshëm në Serie A, kurse Milanit ia zvogëlon gjithnjë e më shumë gjasat për një vend në pozitat evropiane.