EMILJANO VILA
E kërkoi Kukësi, e rrëmbeu Partizani
4 August, 2014 @23:29
Mesfushori i kombëtares shqiptare që kërkohej nga Kukësi u rrëmbye nga Partizani i Tiranës sot. Emiljano Vila, nesër do të zyrtarizohet si lojtar i ri i të kuqve nga Tirana, ka njoftuar klubi në një komunikatë për media.
“Vila është zyrtarisht lojtar i Partizanit. Marrëveshja është arritur sot gjatë ditës, derisa klubi i Partizanit synon të dy trofetë e Shqipërisë, kampionatin dhe Kupën. Ai do të prezentohet nesër në ora 10:00 si lojtar i ri i klubit në ambientet e skuadrës së tij të re,” thuhet në njoftimin e dhënë nga ekipi tiranas.
Panorama Sport kishte botuar sot njoftimin se ish lojtari i PAS Janinës kishte marrë ofertë prej 80 mijë eurove në vjet nga klubi verior i Shqipërisë dhe nënkampioni aktual, Kukësi.
Mirëpo, si duket oferta e Partizanit ka qenë më konkrete dhe më joshëse për ish lojtarin e Dinamos dhe Teutës, që ka pranuar të vishet me të kuqe në stinorin e ri të Kategorisë Superiore shqiptare.