DRENICA ZYRTARIZON BESENIN
Edhe Diellor Beseni largohet nga Liria, nënshkruan me Drenicën
1 July, 2024 @10:30
Mesfushori prizrenas Diellor Beseni është anëtar i ri i Drenicës. Skuadra nga Skenderaj ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me mesfushorin qendror, që në rini ka qenë pjesë e grupmoshave të kombëtares, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e Lirisë.
“Përforcimi i radhës i ekipit tonë është Diellor Beseni.
Mesfushori i talentuar do të jetë pjesë e projektit për Superligë.
Beseni pati paraqitje mjaft të mira në Superligë me klubin e tij FC Liria, por nga edicioni i ri do të jetë futbollist i Drenicës dhe do ta ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave.” — ka shkruar njoftimi i KF Drenica sot.
Drenica ra nga Superliga dy stinorë më parë, ndërsa në stinorin e shkuar nuk arriti që të luftojë mjaft për Superligë. Në stinorin që vjen 2024/25 kuqezinjtë nga Skenderaj do të tentojnë që të rikthehen në Superligë.