DITARI NR 13 @ EURO2016
Eliminimet
Shkruan: Luan MORINA
23 June, 2016 @17:46
Më në fund pak atraksion na shfaqën kombëtarja e Hungarisë dhe Portugalisë. Në një ndeshje me shumë gola, hungarezët ishin më vendimtar dhe të pagabueshëm, derisa Portugalia më në fund gjeti atë grimcë fati që i nevojitej, duke marrë nga Shqipëria edhe shpresën e fundit. Ishte futboll i hapur, pa shumë taktizime, diçka që nuk kemi parë shumë në këtë kampionat.
Dhe posa menduam që do të ngjallen më në fund futbollistët në këtë garë, vijnë italianët me një formacion të çuditshëm. Me meritë humbën nga irlandezët që shkojnë aty ku e kanë vendin pas ndeshjeve të bukura, sidomos kundër Suedisë. Italia do të provoj të mposht Spanjën, diçka që besoj se është shumë e mundshme.
Austria meritoi më shumë nga ndeshja me Islandën, por si në çdo ndeshje deri më tani nuk ia doli. Patën raste, megjithatë finalizimi i tyre mungonte. Dështimi i Çekisë e Austrisë qysh në fazën e grupeve tregon që forma e kualifikimeve nuk reflekton asgjë në turneun përfundimtar. Kur jemi tek kualifikimet, tri kombëtare nga vazoja e pestë ishin prezentë në këtë kampionat, dy prej të cilave vazhdojnë garën – Irlanda Veriore e Islanda. Ne fatkeqësisht kthehemi në shtëpi.
Kthehemi kokë-ngritur dhe krenar me atë që bëmë në Francë. Kualifikimin nuk e kishim pritur, por ja që ndodhi. Fitore nuk kishim pritur, por edhe ajo ndodhi. E mbi të gjitha një përkrahje madhështore nga tribunat ishte befasia më e bukur e kësaj gare.
Tashti faza e eliminimeve shpresoj të sjell më pak kalkulime dhe më shumë lojëra të hapura, me gola. Gjë shumë e mirë është që shorti ka vendosur favoritët në njërën anë dhe pretenduesit në anën tjetër. Eliminimet do të jenë një fazë me kombëtare të kalibrit të ngjashëm në luftë kundër njëra-tjetrës, gjë që nuk lë hapësirë për të pasur frikë kundërshtarin. Pres lojëra të bukura, pa kalkulime dhe me gola shumë. Pos ndeshjes Italia – Spanja!