DE BIASI

Ëndrra zgjati shumë
11 September, 2013 @11:44
Humbja e mbrëmshme ndaj Islandës ka përfunduar ëndrrat edhe të gjumashëve më të mëdhenjë shqiptarë. Dy gola të pësuar nga gabimet e mbrojtjes, që trajneri italian, Gianni De Biasi, i cilësoi lehtësim për punën e Islandës - kanë qenë dëshmitare të rënies së sërishme shqiptare, në vendin e parafundit.
“Disa elemente kanë ndikuar në humbje, por më se evidente ka qenë mungesa e dy futbollistëve mjaft të rëndësishëm: Mërgim Mavraj dhe Ansi Agolli. Pikërisht edhe gabimet u bënë në këtë repart,” ka cekur De Biasi mungesat që sipas tij kanë qenë arsyeja kryesore e humbjes përveç lojës së dobët.
Ëndrra braziliane…
“Të them të drejtën, kjo ëndërr ka zgjatur më shumë sesa që duhet. Unë gjeta një ekip të shpërbërë këtu dhe kam mbledhur futbollistë e futbollistë duke krijuar një ekip gati krejtësisht të ri. Duhet kohë që këta djelmosha të arrijnë nivelin e duhur të lojës,” ka shpjeguar italiani për Panorama Sport.
Lojtarëve u duhet kohë. Kanë mundësi për t’i gëzuar Tifozat Kuq e Zi me kohë, por a do të qëndrojë De Biasi edhe për një sekcion kualifikimesh me kombëtaren.
“Kjo gjë është në dorën e presidentit Duka,” ka qenë i prerë De Biasi, i nervozuar nga humbja që Shqipërinë brenda një jave e rrëzoi nga vendi i dytë në të pestin (të parafundit) në Grupin E kualifikues të zonës europiane për Kampionat Botëror Brazili 2014.