KOSOVA-SENEGALI

BOROZANI/Erdis Driza
Epërsia e parë dhe pjesa e dytë për harresë
25 May, 2014 @18:50
Ka qenë minuta e 25-të e ndeshjes, kur pas një goditjeje të furishme të Kristian Nushit nga gjuajtja e lirë, portieri senegalez mezi evitoi golin e kur topi u dëbua nga shtylla, golashënuesi i vetëm deri tash i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaku ka shënuar me kokë nga afërsia.
Ky moment, përveç historisë si epërsia e parë e Kosovës, ka sjellë një gëzim të paparë te mijëra shikues që ishin të pranishëm në Stade de Geneve të Gjenevës sot, në stadiumin e gjysmëmbushur me flamuj të Kosovës e Shqipërisë.
Kushtrim Mushica ka qenë njeriu që ka pasur më së shumti punë sot në ndeshje, pasi që Senegali ka rrezikuar mjaft në disa raste, por portieri ynë ka arritur që të intervenojë me sukses në të shumtën e rasteve.
E kur në pjesën e dytë nisën zëvendësimet nga të dyja palët, atëherë Senegali me dy gola të shpejtë, pas barazimit në pjesë të parë, ka arritur që të dalë në epërsi 1-3.
Nushi ka treguar sot se është njeriu ideal për goditjen e topave të vdekur, duke rrezikuar portën e afrikanëve nga çdo anë që godiste. Faton Toski me pasime të gjata ka qenë efektiv, derisa Enis Alushi në detyrën e tij të re i ka dhënë siguri më të madhe mbrojtjes që duket të jetë guri më i lehtë në murin kosovar.
Përzgjedhësi Albert Bunjaku në pjesën e dytë ka provuar Eroll Zejnullahun, Mentor Zhdrellën, Yll Hoxhën, Enis Bunjakun dhe Julian Biblekajn, derisa 11-shja e parë e Kosovës ishte e përbërë nga Kushtrim Mushica, Albert Bunjaku, Kristian Nushi, Dardan Rexhepi, Imran Bunjaku, Faton Toski, Liridon Krasniqi, Enis Alushi, Albion Avdiaj, Shkodran Metaj dhe Amir Rrahmani.
Në anën tjetër, pasi që u fut në lojë sulmuesi i njohur i Senegalit, Demba Ba, ka krijuar telashe për mbrojtjen kosovare, por jo edhe për të shënuar.
Kjo ka qenë ndeshja e tretë miqësore e Kosovës dhe humbja e dytë.