GALATASARAY - FENERBAHCE
Feneri ringjallet, s’lejon humbjen
2 November, 2018 @20:56
Pa fitues është mbyllur derbi i Stambollit mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes.
Një ndeshje që po dominohej nga Galatasaray, i cili dukej se do ta mbyllte me fitore këtë takim, ndërroi kahje pas minutës së 65’, me Fenerin që gjeti shpejt dy gola dhe barazoi gjithçka, duke bërë që ndeshja të mbyllej me rezultatin e barabartë 2-2.
Galatasaray avancoi me golin e Ryan Donkut (31’) ndërsa në fillim të pjesës së dytë shtoi avantazhin me Martin Linnes (49’).
Sidoqoftë, gjashtë minutat e jetës Fenerbahçe i shfrytëzoi shumë mirë. Së pari Matthieu Valbuena konvertoi në gol penalltinë e fituar përmes VAR (66’), ndërsa gol tepër të bukur për barazim 2-2 shënoi Jailson (72’).
Kur jemi te renditja tabelare, me një fitore sot Galatasaray do të ngjitej në krye të klasifikimit, mundësi të cilën e humbi, kurse Fenerbahçe momentalisht mbetet edhe më tutje larg skuadrave lidere në Superligën turke.
Sa i përket statistikave, barazimi i sotëm bën që Fenerbahçe të vazhdojë të mos mposhtet nga Galatasaray në kuadër të Ligës që më tepër se 4 vite. Herën e fundit kur Feneri ishte mposhtur nga Galatasaray në ligë daton më 18 tetor 2014.
Pas 11 xhirove Galatasaray ka 20 pikë, 1 më pak se lideri Basaksehir, ndërsa Fenerbahçe 10 pikë.