Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FERIZAJ - DRENICA

Ferizaj fiton pas 3 humbjeve, Drenica pa shenja jete

Ferizaj fiton pas 3 humbjeve, Drenica pa shenja jete


3 May, 2023 @17:01

Ndonëse ende jo matematikisht, Drenica është shumë pranë rënies në Ligën e Parë të Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur ende në futbollin e pas-luftës në Kosovë.

Sot Drenica u mposht 2-0 (Albin Krasniqi 52’, Betim Haxhimusa 73’) nga Ferizaj, fitore që për këtë të fundit vjen pas 3 humbjeve radhazi në ligë.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërkohë më dominuese ishte skuadra e Ferizajit, që ndonëse kishte posedim më të madh, nuk arrinte dot të krijonte raste konkrete për shënim.

Prej momenteve për t’u përmendur nga kjo pjesë ishte ai i minutës së 21’, kur gjyqtari kryesor akordoi penallti për Ferizajin, mirëpo pas rishkimit me VAR, penalltia e akorduar u anulua.

TABELA AKTUALE

Shtatë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, goli i Ferizajit erdhi. Ishte Albin Krasniqi (52’) ai që me ndihmën e një devijimi shënoi për 1-0 të vendasve. Katër minuta pas golit të pësuar, gjërat për Drenicën u përkeqësuan, pasi që futbollisti Lukman Hussein u përjashtua nga loja pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë. Kjo e bëri edhe më të vështirë rikthimin e mundshëm të Drenicës në lojë.

Nga minuta e 67’ e deri në fund, edhe Ferizaj mbeti me një lojtar më pak në fushë, por kjo nuk i pengoi vendasit që ta gjenin edhe golin e dytë. Ishte i inkuadruari nga banka rezervë, Betim Haxhimusa, që shënoi për 2-0 pothuajse me t’u inkuadruar në lojë dhe ky gol e vulosi përfundimisht fitoren e merituar vendase. Asistues te ky gol ishte Edon Sadriu.

Kjo fitore i jep shpresë për shpëtim Ferizajit, kurse për Drenicën rënia në Ligën e Parë tashmë është vetëm çështje kohe.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga