LLAPI - DRITA

Fitore e madhe për kreun e tabelës
25 February, 2018 @14:35
Në një terren të rënduar nga bora dhe në kushte jo aq të përshtatshme për lojë, skuadra e Dritës ka shënuar një fitore të madhe ndaj Llapit në Podujevë, fitore e cila e ngrit Dritën në krye të tabelës.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa për t’u përmendur nga kjo pjesë është shtylla e goditur nga Liridon Leci i mysafirëve në minutën e 19’, si dhe një shpërdorim nga Astrit Fazliu në minutën e 30’, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri Beqiri i vendasve.
Më të filluar pjesa e dytë, Drita e gjeti golin përmes të zakonshmit Xhevdet Shabani, i cili shënoi një gol të bukur me gjysmë-volej dhe ia dha epërsinë skuadrës nga Gjilani. Në vazhim të ndeshjes, Llapi rrezikoi seriozisht vetëm një herë me një goditje të Mirlind Dakut nga distanca, mirëpo gjuajtja e tij ishte e pasuksesshme dhe porta e Dritës mbeti e paprekur.
Kjo fitore bën që Drita tashmë të jetë lidere e Superligës pasi që ka golaverazh më të mirë se Prishtina, kurse Llapi mbetet 2 pikë larg kreut.