BALLKANI 2-1 DRITA

Foto: FFK
Fitorja Ballkanit, titulli Dritës
26 July, 2020 @19:39
Ballkani është treguar përsëri i jashtëzakonshëm si ekip, derisa ka arritur të mposht kampionin e posashpallur të Superligës Dritën në shtëpi sot 2-1 [Visar Berisha 14, Mirlind Daku 60 - Xhevdet Shabani 32].
Në kërkim të vendit të dytë, që garanton garat evropiane, Ballkani ka nisur ndeshjen furrishëm dhe shpejt arriti te goli.
Pas disa tentimeve nga Blend Baftiu dhe Liridon Fetahaj, që u mbrojtën nga portieri i Dritës Faton Maloku, ka qenë Fetahaj që ka asistuar bukur me një krosim të tijin drejt zonës, ku kapiteni i suharekasve Visar Berisha ka qëlluar me kokë në çoshte të portës, pakapshëm për Malokun (14’) për t’i dhënë epërsi Ballkanit.
Jashtë stadiumit tifozët e Dritës, Intelektualët, festonin titullin kampion, por edhe Xhebrailat e Ballkanit ishin në disponim, pasi që prisnin fitore të ekipit të tyre dhe një humbje pikësh nga Gjilani për të siguruar Evropën.
Sidoqoftë, Drita si kampione qetësisht u këndell dhe nga një akcion jo edhe fort premtues, bukur Xhevdet Shabani shënon në portën e Armend Ruxhit, që mbeti i shtangur për 1-1 (32’).
Ballkani riktheu iniciativën, por gol s’kishte deri në fund të pjesës së parë, edhepse Baftiu tentoi bukur për të shënuar, por topi shkoi mbi portën e Malokut.
Në pjesë të dytë trajneri i Dritës Ardian Nuhiu ndërroi Malokun me Darko Tafiloskin, e ky i fundit priti një rast të mirë të Mirlind Dakut që erdhi nga krosimi i Besnik Krasniqit.
Por shpejt, Daku shënoi golin e dytë të ekipit sot dhe të dytin të tijin në dy ndeshjet e fundit. Krosimi i Ermal Krasniqit nga e majta, gjeti Besnikun në të djathtë, që shpejt gjuajti topin në mes të zonës, prej ku Daku ishte i pagabueshëm dhe Ballkani mori epërsinë 2-1 (60’) që doli të ishte edhe goli i fitores në këtë duel.
Drita në fund u kurorëzua me titull kampioni, ndërsa kryetari i FFK-së Agim Ademi ia doërzoi trofeun (krejt tjetër në dukje nga viti i kaluar) kapiteni të bardhekaltërve nga Gjilani, Ardian Limani.
Në anën tjetër, Ballkani përfundoi i treti në renditje dhe tashmë rrugë të vetme për dalje në gara evropiane e ka finalen e Kupës, ku duhet të fitojë ndaj Prishtinës.