SUPERKUPA E SPANJËS
Fitorja u kushton shtrenjtë
14 August, 2016 @23:48
Barcelona ka krijuar kapital të madh në ndeshjen e parë të finales së Superkupës së Spanjës sonte duke e mposhtur Sevillën si mysafir 0-2.
Mirëpo, kjo fitore i ka kushtuar shtrenjtë ekipit pasi që vetëm në pjesën e parë të ndeshjes trajneri Luis Enrique është dashur të kryejë dy zëvendësime për shkak të lëndimeve.
Mbrojtësi francez, Jeremy Mathieu dhe mesfushori Andres Iniesta, janë lënduar në këtë duel dhe pritet të shihet se sa do të mungojnë.
Sidoqoftë, pas pjesës së parë pa gola, Barcelona pas një akcioni të bukur kur Sergio Busquets futi Arda Turanin në lojë, ky i fundit me gjoks pasoi për te Luis Suarez që shënoi për avantazh.
Më pas, Lionel Messi me një pasim i mundësoi të riut, Munir El Haddadi që të ngris epërsinë.
Përballja e radhës luhet pas tre ditësh në Camp Nou të Barcelonës, ku do të kuptohet përfundimisht cila skuadër do ta ngris trofeun, ndërsa Barcelona ka avantazhin dy golësh në xhep.
0-2 Munir El Haddadi Goal HD Sevilla 0-2 FC… by Euro-1