QENDËRMBROJTËSI KUQEZI
Fjalët e para të Mërgim Mavrajt si lojtar i ri i Hamburgut
27 December, 2016 @12:28
Mërgim Mavraj shumëherë është treguar shembull si futbollist, jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj.
E respekti i treguar nga ekipet me famë gjermane në Bundesligë për lojtarin, vetëm se po e vërtetojnë cilësinë e gjithanshme për qendërmbrojtësin me origjinë nga Istogu i Kosovës, që mbron ngjyrat e Shqipërisë.
Ai së fundi u transferua te Hamburgu nga Koln dhe pritet që t’i ndihmojë ekipit nga Veriu i Gjermanisë për të mbijetuar në Bundesligë.
Fjalët e para të tij si lojtar i ri i Hamburgut kanë qenë këto.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që do të jem pjesë e Hamburgut që nga pjesa e dytë e stinorit. Hamburg është ekip i madh dhe drejtuesit më kanë njoftuar për rolin që do ta kem këtu. Kjo më bën krenar që një ekip i tillë beson në mua,” ka thënë fillimisht Mavraj për faqen zyrtare të HSV-së.
“Mezi pres që t’i bashkohem bashkëlojtarëve të ri në janar. Unë do të bëj gjithçka për të ndihmuar ekipin përballë sfidave që na presin,” shtoi ai pas nënshkrimit të kontratës.
Mbrojtësi kuqezi do të jetë në dispozicion të ekipit që më 3 janar 2017, kur do të duhet të paraqitet në vendin e ri të punës.
Mavraj 30 vjeç tërë karrierën e tij e ka kaluar në Gjermani. Ai ka luajtur për Darmstadtin, pastaj Bochumin, Greuther Furthin dhe së fundi Kolnin.
Për Shqipërinë Mavraj ka 29 paraqitje dhe 3 gola të shënuara. Ai ka qenë njëri ndër lojtarët e paktë të reprezentacionit që ka qenë i pazëvendësueshëm përgjatë europianit Franca 2016 nga trajneri italian i kombëtares, Gianni De Biasi.
Sipas gazetës Bild, Mavraj i ka kushtuar Hamburgut 1.8 milionë euro.