SHPRESËDHËNËSI
Foda: Shumë i sigurt për rezultate të mira
19 March, 2024 @13:28
Fjalë të mëdha ka folur përzgjedhësi gjerman i Kosovës, Franco Foda. Në konferencën e parë për shtyp të tijën, pasi që publikoi listën e parë të të ftuarve të kombëtares kosovare ai ka dhënë shpresa.
“Kosova ka ekip shumë interesant dhe shumë lojtarë cilësor, prandaj jam shumë i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira,” ka thënë selektori i ri i Kosovës.
Foda 57 vjeç është dukur i ambientuar në adresimin e parë të tij për mediat tona, ndërsa e ka nisur me “Mirëdita”. Pas shpjegimit për kohën e kaluar, ku tregon se si ka udhëtuar me ekipin e tij për t’i parë lojtarët dhe për të biseduar me disa, gjermani ka vlerësuar se bisedat kanë qenë të mira.
“Ky është grumbullimi ynë i parë. Gjatë javëve të kaluar unë së bashku me ndihmësit e mi kemi udhëtuar shumë. Kemi vëzhguar lojtarë dhe jemi njoftuar rreth paraqitjeve të tyre. Jam takuar personalisht me lojtarët, si me Amir Rrahmanin e Vedat Muriqin. Kemi pasur shumë biseda të mira,” ka thënë Foda.
Në stërvitjen e parë të ekipit të mbajtur dje në kampin nacional në Hajvali, ai ka pasur 17 lojtarë në dispozicion, ndërsa në konferencë për media tregoi se pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar arrin të martën.
Sa i përket ftesave, ai ka theksuar edhe njëherë se derën e kanë të hapur të gjithë lojtarët që kanë mundësinë të tregojnë veten për ndeshjet e ardhshme.
“Kemi një plan të qartë të cilit do t’i përmbahemi për ndeshjen ndaj Armenisë. I kemi përcjellë ndeshjet e lojtarëve, e disa i kemi ndjekur edhe përmes TV-së si kanë luajtur dhe kemi përzgjedhur lojtarët që na kanë bindur më shumë. Gjithsesi dera është e hapur për të gjithë dhe çdo lojtar e ka mundësinë të tregoj veten për ndeshjet e ardhshme”, ka shtuar Foda.
FFK ka aranzhuar dy miqësore për muajin mars. Kosova të dyja ndeshjet do t’i luajë si mysafire. Së pari më 22 mars prej orës 17:00 janë mysafirë të Armenisë në “Vazgen Sargsyan” të Jerevanit. Ndërsa katër ditë më vonë, në Budapesht prej orës 19:00 në “Puskas Arena” luajnë miqësoren e dytë të këtij muaji, ndaj Hungarisë.
Kosova do të mundohet të kryejë sa më mirë përgatitjet e marsit dhe qershorit të këtij viti, ashtu që ekipi i përzgjedhësit të ri të Kosovës bashkë me përzgjedhësin të kenë një pasqyrë sa më të qartë për lojtarët në dispozicion.
Prej shtatorit të këtij viti nis edicioni 2024/25 i Ligës së Kombeve, ndërsa kreu i FFK-së ka thënë se Kosova nuk ka më nevojë të tregohet, por të shënojë rezultate. Foda do të duhet që me Kosovën të fitojë grupin në Ligën C të Kombeve, ku për kundërshtarë ka Rumaninë favorite, Qipron dhe fituesin e barazhit Lituania-Gjibraltari.