KRYESORI I EKIPIT
Vedat Muriqi: Ekipi është i uritur për fitore!
19 March, 2024 @14:25
Njëri ndër lojtarët më me përvojë të kombëtares së Kosovës në futboll si dhe rekord-golashënuesi i përfaqësueses, prizrenasi Vedat Muriqi që djersit fanellën e Mallorcës në LaLiga të Spanjës, në deklaratën e dhënë për faqen zyrtare të FFK-së pas stërvitjes së parë me Kosovën në mars dhe me trajnerin e ri Franco Foda ka thënë se Kosova është e untë për fitore!
Qendërsulmuesi 29 vjeçar, që njihet si lokomotivë e sulmit të ekipit dhe ndër lojtarët më të mirë të Kosovës, ka pasur rastin të bisedojë me selektorin e ri gjerman të Kosovës edhe para stërvitjes së parë.
“Ishte dita e parë e stërvitjeve dhe dita që u njoftuam përsëafërmi të gjithë me stafin e trajnerëve. Do e hapim një faqe tjetër dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë që ta mësojmë taktikën dhe kërkesat e trajnerit. Në vizitën që trajneri Foda më bëri në Spanjë e kam njoftuar që grupi është i uritur për fitore”, tha ndër të tjera Muriqi në deklaratën pas stërvitjes.
FFK ka aranzhuar dy miqësore për muajin mars. Kosova të dyja ndeshjet do t’i luajë si mysafire. Së pari më 22 mars prej orës 17:00 janë mysafirë të Armenisë në “Vazgen Sargsyan” të Jerevanit. Ndërsa katër ditë më vonë, në Budapesht prej orës 19:00 në “Puskas Arena” luajnë miqësoren e dytë të këtij muaji, ndaj Hungarisë.
Kosova do të mundohet të kryejë sa më mirë përgatitjet e marsit dhe qershorit të këtij viti, ashtu që ekipi i përzgjedhësit të ri të Kosovës bashkë me përzgjedhësin të kenë një pasqyrë sa më të qartë për lojtarët në dispozicion.
Prej shtatorit të këtij viti nis edicioni 2024/25 i Ligës së Kombeve, ndërsa kreu i FFK-së ka thënë se Kosova nuk ka më nevojë të tregohet, por të shënojë rezultate. Foda do të duhet që me Kosovën të fitojë grupin në Ligën C të Kombeve, ku për kundërshtarë ka Rumaninë favorite, Qipron dhe fituesin e barazhit Lituania-Gjibraltari.