Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHPRESË PËR STADIUMIN

Gati për fillimin e punimeve në “Adem Jashari”

Foto: MKRS/ fb

Gati për fillimin e punimeve në “Adem Jashari”


9 February, 2024 @15:27

Ministri i Ministrisë së KRS-së, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka bërë të ditur se tash e tutje nuk ka asnjë pengesë për të nisur punimet për rindërtimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Çeku ka bërë të ditur se kanë përfunduar si shpronësimet, ashtu edhe është siguruar leja ndërtimore e janë paguar borxhet e akumuluara ndër vite. Ndërsa, ka theksuar se nuk do të ketë tolerim në vonesat e mëtutjeshme pasi që të nisin punimet.

“Gjithçka gati për nisjen e punimeve në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
E gjatë dhe e mundimshme ishte rruga për t’i përmbyllur të gjitha procedurat që do të duhej të kishin mbaruar në vitin 2019, para nisjes së renovimit.
Shpronësimet kanë përfunduar, kushtet e ndërtimit dhe leja ndërtimore janë siguruar, borxhet e akumuluara ndër vite (komunalitë) janë paguar, kontrata me operatorin është zgjatur, zotimi për buxhet është siguruar.
Punët do t’i monitorojmë në baza ditore, asnjë vonesë nuk do të tolerohet. Kosova do të bëhet edhe me dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht.”
— ka shkruar Çeku në njoftim.

Kujtojmë, stadiumi “Adem Jashari” ishte stadiumi i parë ku Kosova pas pavarësisë luajti miqësore ndërkombëtare, ndërsa ka qenë i stërmbushur në përballjen historike me Haitin. Por, pasi që ajo nuk përmbushte kërkesat e UEFA-së, kualifikimet e para zyrtare Kosova i luante si vendas në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Pasi që u rinovua “Fadil Vokrri” Kosova nisi t’i luajë ndeshjet kualifikuese si vendas në Prishtinë, ndërsa stadiumi në Mitrovicë kolapsoi nga papërgjegjësia e madhe dhe telashet që e përcollën.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga