ARANZHOHEN MIQËSORET
Armenia, Hungaria e Norvegjia - rivalët e Kosovës në miqësoret e para të vitit
6 February, 2024 @10:51
Kosova ka siguruar tre ndeshje miqësore deri në qershor të këtij viti. Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se ka aranzhuar dy miqësore për datat e lira nga FIFA për muajin mars, ndërsa një tjetër në qershor.
FFK gjithashtu ka bërë të ditur se është duke punuar për të siguruar edhe një ndeshje miqësore për muajin qershor. Reprezentacioni i Kosovës do të bëj koxha udhëtime në këto kohë, pasi që “Fadil Vokrri” është në renovim dhe është mbyllur.
Së pari udhëtohet në Jerevan të Armenisë, ku Kosova është mysafire e armenëve më 22 mars. Më pas, më 26 mars luajnë në Budapest ndaj Hungarisë, kurse në qershor udhëtojnë në Oslo, ku i pret Norvegjia.
“Kombëtarja e Kosovës ka aranzhuar tri ndeshje miqësore, dy për muajin mars dhe një për muajin qershor. Fillimisht më 22 mars, Dardanët do të luajnë kundër Armenisë në Yerevan, derisa më pas më 26 mars do të përballen me Hungarinë, në Budapest. Ndërkaq, testin e radhës, Kosova do ta ketë më 5 qershor, ku do të luajë kundër Norvegjisë, në Oslo. Federata e Futbollit e Kosovës është në bisedime për aranzhimin edhe të miqësores së dytë për qershor dhe shumë shpejt do të konfirmohet edhe kundërshtari tjetër. Këto miqësore do të shërbejnë që ekipi dardan të përgatitet sa më mirë për ndeshjet zyrtare në vjeshtë në kuadër të Ligës së Kombeve, shorti i të cilës garë do të tërhiqet më 8 shkurt.” — ka bërë të ditur FFK-ja.
Kujtojmë, Kosova ende nuk ka selektor të përzgjedhur. Prej se u nda me Primoz Glihën në fund të ciklit kualifikuer për EURO 2024, Kosova nuk ka emëruar trajnerin e ri. Kreu i FFK-së ka bërë të ditur gjatë janarit të këtij viti, se Kosova do të ketë trajnerin e ri para shortit për në Ligë të Kombeve 2024/25. Shorti hidhet pasnesër (8 shkurt). Mbetet të shihet sot-nesër nëse FFK do të dalë me emrin e trajnerit të ri, para shortit.