TRAJNERI I TRETË KËTË STINOR TE EKIPI PRIZRENAS!
Liria emëron përsëri trajner turk
2 February, 2024 @21:29
Pas ndarjes me Nedim Yigitin, me të cilin nisën stinorin dhe vazhdimin me Mirsad Jonuzin, me të cilin u ndanë pas përgatitjeve dimërore, Liria sot zyrtarizoi kryetrajnerin e ri të ekipit - Ali Gunes (Ali Gynesh).
Trajneri 62 vjeçar përgjatë karrierës së tij ka drejtuar skuadra turke, kryesisht mesatare, si Osmanlispor, Hatayspor, Adanademirspor, Alanyaspor, etj. Kohën e fundit ka punuar si shef i skautëve të Gaziantep FK.
Detyra e tij, sipas njoftimit të Lirisë do të jetë mbetja në Superligë. Ndërsa brenda disa ditëve Liria është thënë se do të bëj edhe 3 përforcime cilësore.
Liria përgjatë vjeshtës ka zhgënjyer. Ekipi i rikthyer në Superligë pas katër stinorësh ka arritur vetëm një fitore përgjatë 18 xhirove të para të stinorit, ndërsa në total ka 9 pikë dhe është e fundit në renditjen tabelare.