Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LISTA E KOSOVËS ME SELEKTORIN E RI

Franco Foda me ftesat e para: 24 (+1) të ftuar direkt, 8 në listën rezervë!

Foto: FFK

Franco Foda me ftesat e para: 24 (+1) të ftuar direkt, 8 në listën rezervë!


15 March, 2024 @23:10

Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Franco Foda, sot ka publikuar listën e tij të parë si shef i shtabit teknik të kombëtares kosovare. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka publikuar emrat e futbollistëve të ftuar, prej të cilëve 24 në listën direkte me Lindon Emërllahun që do t’i bashkangjittet ekipit në ndeshjen e dytë miqësore të marsit pasi që do të jetë me detyrë te Kosova U-21 dhe tetë futbollistë tjerë në listën rezervë.

Në total, 33 emra janë përshkruar në njoftimin e botuar të FFK-së sot, te të cilët llogarit Franco Foda. Dita e parë e grumbullimit të futbollistëve do të jetë e hëna e 18 marsit, ndërsa stërvitja e parë që do të mbahet në kampin nacional në Hajvali do të mbahet në orën 16:00, kur edhe pritet të shihen në fushë “dardanët” me selektorin dhe ekipin e tij.

Shkojmë radhazi me përshkrim të shkurtër për risitë dhe lëvizjet në listë krahasuar me ndeshjet e kaluara të Kosovës dhe aktivizimin e futbollistëve në ekipet e tyre në muajt e fundit.

PORTA

Arjanet Muric ende duket i padiskutueshëm si njëshi i Kosovës, ndërkaq Visar Bekaj ende qetë po pret rastin e tij. Ilir Avdyli si portier i tretë shkon pas formës së treguar me Llapin, ku javën e kaluar ekipi llapjan botoi një njoftim që ai ka dhjetë ndeshje pa pranuar gol në Superligë. Herën e kaluar si portier i tretë nga Superliga ka qenë Kenan Haxhihamza. Duket se forma jo e mirë së fundi e Dukagjinit në Superligë, ka bërë të veten.

MBROJTJA

Me dy lojtarë të Superligës që si duket bindën me paraqitjet në fund të vitit të kaluar, Lumbardh Dellova e Ilir Krasniqi, të tjerët kanë qenë standard të ftuar dhe thuajse të padiskutueshëm në ftesa. Pritet të shihet se a do të bëj ndërrime të mjaftueshme gjatë miqësoreve Foda për të provuar në detyrë shumicën, pasi që Amir Rrahmanit, Fidan Alitit dhe Mërgim Vojvodës - është vështirë t’i mirret pozicioni startues.

MESFUSHA DHE SULMI:

Mesfusha ose më mirë thënë mesfushorët - është vendi ose pozitat ku më së shumti po çalon Kosova së fundi. Valon Berisha, Bersant Celina, Blendi Idrizi e Florian Loshaj, janë dëgjuar më pak muajve të fundit, ndërsa Donat Rrudhani e Florent Muslija vetëm prej ekipeve ku luajnë duhet të jenë pjesë e ftesës. Milot Rashica është standard në ekipin e tij, ndërsa shkëlqimi i Edon Zhegrovës ka qenë i padiskutueshëm në rikthimin e tij, ndoshta edhe në 11-she startuese të Kosovës. Zymer Bytyqi gjithmonë është aty sikurse edhe Elbasan Rashani, ndërsa forma e mirë e Albion Rrahmanit në ekipin e tij pritet t’i sjellë atij minuta në zëvendësim me Vedat Muriqin e padiskutueshëm si më të dalluarin e sulmit dhe rekord-golashënuesin e Kosovës. Drilon Hazrollaj me paraqitjet e tij në Superligë, ka merituar ftesën plotësisht dhe atë më shumë sesa secili lojtar i Superligës thënë më së buti, ndërsa me shpresë që të shihet në aksion gjatë miqësoreve, ai pritet të jetë e ardhmja e ndritur e Kosovës. Lindon Emërllahu do t’i bashkohet ekipit për miqësoren e dytë, pasi që të kryejë detyrën me Kosovën U-21.

SHTESAT

Interesante duket lista rezervë e Kosovës. Mustafë Abdullahu është portier i ri, ndërsa të tjerët pritshëm nuk kanë arritur të bëhen pjesë e listës së parë, me përjashtim të Qëndrim Zybës, për të cilin mendohet se do të mund të bëhet pjesë e 11-shes standare të Kosovës me cilësitë që ka dhe veçanërisht duke llogaritur mungesën e mesfushorëve qendror.

LISTA E PLOTË

Franco Foda 33 lojtarët e përmendur nga FFK-ja i ka ndarë si mëposhtë, ndërsa Kosova do të jetë mysafire e Armenisë më 22 mars dhe mysafire e Hungarisë më 26 mars.

Portierë: Arjanet Muric, Visar Bekaj, Ilir Avdyli.
 
Mbrojtës: Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Lumbardh Dellova, Mirlind Kryeziu, Leart Paqarada, Ilir Krasniqi, Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj.

Mesfushorë dhe sulmues: Donat Rrudhani, Florent Muslija, Florian Loshaj, Blendi Idrizi, Valon Berisha, Bersant Celina, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Zymer Bytyqi, Elbasan Rashani, Drilon Hazrollaj, Albion Rrahmani, Vedat Muriqi.

Prej Kosovës U-21 për ndeshjen e dytë bashkohet: Lindon Emërllahu.

Lista rezervë: Mustafë Abdullahu, Kreshnik Hajrizi, Lirim Kastrati, Qëndrim Zyba, Altin Zeqiri, Emir Sahiti, Shkëlqim Vladi, Muhamet Hyseni.

Kosova

“Në listën e Fodës janë përfshirë 24 futbollistë, por edhe Lindon Emërllahu (FC Ballkani), pas angazhimit me Kombëtaren U-21 në ndeshjen kundër Gjermanisë, nga data 23 mars do t’i bashkohet Kombëtares A për ndeshjen e dytë kundër Hungarisë. Këto dy miqësore janë sfidat e para të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e trajnerit gjerman, bashkë me stafin e tij.
Dardanët do të grumbullohen të hënën (më 18 mars) në hotel ‘Emerald’, teksa stërvitjen e parë do ta zhvillojnë në të njëjtën ditë në orën 16:00, në Kampin Nacional në Hajvali. Paraprakisht, të hënën, në orën 12:00, në hotel “Emerald” do të mbahet konferencë për media e përzgjedhësit Foda. Ndërkohë, të mërkurën ekspedita e Kombëtares së Kosovës do të niset për në Yerevan, atje ku të premten do ta zhvillojë përballjen me Armeninë. Pas kësaj ndeshje Dardanët do të zhvendosen në Budapest, për testin e dytë të këtij muaji kundër Hungarisë.”
— ka bërë të ditur FFK-ja në njoftimin e dhënë sot sa i përket listës dhe planit të Kosovës për muajin mars.

Përndryshe, Kosova do të bëj të gjitha përgatitjet për të qenë në element para ndeshjeve zyrtare që nisin në shtator, kur nis edicioni i ri i Ligës së Kombeve. Kosova është në Ligën C të Kombeve, ndërsa në grup ka Rumaninë, Qipron dhe fituesin e duelit Lituania-Gjibraltari.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve