STADIUMI I RI
FSHF alarmon: “Arena Kombëtare” në pikëpytje
3 November, 2018 @16:55
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) para pak çastesh ka bërë të ditur se punimet në Arenën Kombëtare janë në rrezik!
Kjo, jo për shkak të ndonjë punimi jo të mirë aty, por për shkak se Komisioni i Apelit pranë Ministrisë së Financave të Shqipërisë refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga FSHF-ja në stadium.
“Kjo do të thotë që investimit në fjalë do t’i mungojë përafërsisht 2 milionë euro dhe se praktikisht përfundimi i punimeve vihet seriozisht në pikëpyejte,” ka bërë të ditur njoftimi i FSHF-së lëshuar sot.
Më tej, FSHF ka shkuar edhe më larg duke shkruar se “një grup burokratësh të shtetit dhe të politikës, ende nuk ju ka dalë mërzia, që Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, dhe janë akoma më të mërzitur që Tirana po bëhet me një stadium modern!”
NJOFTIMI I PLOTË I FSHF-së:
Nga Ministria e Financave vjen një lajm tjetër: Komisioni i Apelit refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga FSHF në stadiumin “Arena Kombëtare”. Kjo do të thotë që këtij investimi i mungojnë afërsisht 2 milionë Euro dhe se praktikisht përfundimi i punimeve të stadiumit vihet seriozisht në pikëpyetje. Në bazë të VKM Nr.953, datë 29/12/2014, neni 5, pika 5, Qendra Sportive Kuq e Zi, ka bërë deklarimet kronologjike në librat e blerjes dhe shitjes të TVSH-së, duke konsideruar dhe deklaruar se qiradhënia e ardhëshme do të jetë e tatueshme. Këtë shpjegim nuk po e bëjmë për Komisionin e Apelit që sillet si një grup “tifozësh ultras”, por për ata që e dinë dhe e kuptojnë këtë procedurë ligjore. Gjithsesi FSHF do ti drejtohet Gjykatës, për këtë çështje, por është për të ardhur keq se si një grup burokratësh të shtetit dhe të politikës, ende nuk ju ka dalë mërzia, që Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, dhe janë akoma më të mërzitur që Tirana po bëhet me një stadium modern!