PIKA E PARË E PAMPURËVE
Fushë Kosova merr pikën e parë të stinorit, ndalë Dritën
16 September, 2023 @17:48
Pas një ndeshjeje të luftuar dhe mirë të organizuar në mesfushë, Fushë Kosova ka arritur të marrë pikën e parë të stinorit në Superligë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Burim Shala nuk ka lejuar që Drita të dalë me fitore nga “Sami Kelmendi” sot, ndërsa ka qenë Dominik Ivkic që ka shënuar në pjesë të dytë për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes, Fushë Kosova - Drita 1-1 [Dominik Ivkic 56’ - Blendi Baftiu 31’].
Pas një nisme tejet të kalkluar të lojës, ishte Blendi Baftiu që shënoi për epërsinë e Dritës, kur qëlloi rrjetën e Armend Ruxhit me kokë. Drita pati edhe disa gjysmëraste, por jo diçka shumë serioze për të shënuar. E në pjesë të dytë një mobilizim pak më i organizuar i Fushë Kosovës, ua solli golin - që doli të jetë goli i pikës së parë të stinorit, edhe pse vazhdojnë të jenë në fund të renditjes tabelare, pasi që pas tre humbjeve radhazi arritën te barazimi i parë.
Drita në anën tjetër është bërë mbretëreshë e barazimeve, pasi që nga katër ndeshje të luajtura, ka tre barazime! E trajneri i tyre Akis Vavalis si duket po vuan për një “9-she” si më parë që ishte Marko Simonovski. Fushë Kosova ka një pikë pas 4 ndeshjeve të luajtura, ndërsa Drita 6. Të dyja në xhiron e pestë kanë nga një ndeshje të paluajtur.
Në xhiron e radhës Fushë Kosova e motivuar do të udhëtojë te Dukagjini, ndërsa Drita pret Prishtinën në derbi.