Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRIUMF PËR KRYE TË RENDITJES

Llapi mposht Feronikelin’74 dhe merr kreun e Superligës

Llapi mposht Feronikelin’74 dhe merr kreun e Superligës


16 September, 2023 @17:31

Së paku deri sa të zhvillohen ndeshjet e nesërme në Superligë, Llapi do të qëndrojë minimalisht 24 orë në krye të renditjes tabelare. Ekipi i Tahir Batatinës ka mposhtur sot thellë Feronikelin’74 në Gllogovc, duke shënuar fitore bindëse, për përfundimtaren: Feronikeli’74 - Llapi 0-3 [Muhamet Hyseni 45+4, Ergyn Ahmeti 49’, Trimror Selimi 67’].

Në momentet kur përfundonte pjesa e parë, Llapi me fitimin e penalltisë e konkretizoi atë me sulmuesin Muhamet Hyseni për epërsi para pushimit të pjesëlojëve. Hyseni shënoi kundër ish-ekipit të tij, ku shkëlqeu në stinorin e kaluar me gola, derisa çoi Feronikelin’74 në Superligë.

TABELA AKTUALE

E në pjesë të dytë me të nisur ndeshja ka qenë Ergyn Ahmeti që i dha rehati llapjanëve për pjesën e mbetur të ndeshjes. Goli i tij në minutën e 48 të ndeshjes bëri gjithçka më të lehtë për Llapin, derisa ekipi i Xhengis Rexhepit s’arriti të kundërpërgjigjej.

Më pas ka qenë Trimror Selimi që vulosi fatin e takimit me golin e tij, ndërsa Llapi me fitoren e tretë sezonale ka arritur në kuotën e 10 pikëve për të kaluar në krye të tabelës. Feronikeli’74 ka regjistruar humbjen e katërt sezonale dhe është në pozitën e tetë aktualisht.

Në xhiron që vjen, Llapi pret Gjilanin, ndërsa Feronikeli’74 udhëton te Liria.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga