MICHEL PLATINI

REUTERS
Futbolli pa kartonë!
6 December, 2013 @8:30
Legjenda e futbollit françez dhe aktualisht kryetari i shtëpisë europiane të futbollit, UEFA, Michel Platini, ka propozuar që të hiqen kartonët e verdhë dhe të kuq në futboll.
“Për shembull, kartoni i kuq për portierët është i ekzagjeruar. Mendoj se çdokush në FIFA e UEFA pajtohet me këtë, por janë disa shtete në Bordin Ndërkombëtar që nuk dëshirojnë ndërrime,” ka thënë Platini për të përditshmen madrilene, As.
“Do të ishte si në ragbi. Ofenduesi, fauluesi apo i pasjellshmi do të dënohej me 10 apo 15 minuta moslojë në ndeshje. Kjo është vetëm ide. Tash duhet të piqet e të shohim a është në të mirë të futbollit,” ka vazhduar ish lojtari i Juventusit që kërkon hulumtim më të hollësishëm të idesë për heqjen e kartonëve nga futbolli.
“Për më tepër, benefitet për lojtarin e suspenduar me kartonë i merr ekipi me të cilin do të luani në xhiron e radhës, derisa lojtari ju ka shkaktuar dëmin juve,” ka shtuar ndër të tjera Platini arsye për të shqyrtuar edhe më idenë.
Kampionati Botëror në Brazil që do t’ia nis vitin e ardhshëm, pritet të ngjallë edhe më shumë diskutime për shkak të motit, ndryshimeve klimatike, udhëtimeve të gjata, infrastrukturës jo të mirë, etj.
Për më tepër, përzgjedhësi i kombëtares italiane, Cesare Prandelli, ka propozuar pauza për ujë gjatë ndeshjeve në Botërorin 2014. FIFA nuk e ka refuzuar këtë propozim, por e ka pasuar propozimin te referët dhe mjekët e përfaqësueseve si dhe atyre të FIFA-së që të vendosin për këtë sipas ndeshjes.