MIREL JOSA

Foto: prishtinafc.com
Gjërat mund të ndryshojnë
3 March, 2018 @21:28
Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, pas fitores ndaj Trepçës’89 sot, 2-0, në deklaratën e tij pas ndeshjes ka thënë se ekipi i tij do të vazhdojë të punojë ndeshje pas ndeshjeje, pasi që kampionati është i gjatë dhe se fitorja ndaj kampionit aktual nuk do të thotë që kanë kryer punë të madhe.
“E kam thënë para ndeshjes se është përballje direkte me rival dhe nuk do të thotë tani që ne e fituam ndeshjen dhe Trepça ’89 do të heqi dorë nga pretendimet që ka në kampionat. Pra, gjërat mund të përmbysen shumë shpejt dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse s’është vetëm Trepça ’89 kundërshtar,” ka thënë fillimisht Josa.
“Ne do të flasim edhe për Dritën pavarësisht rrëshqitjes së saj dje, sepse edhe ne kemi pasur hapa fals në rrugën tonë, qoftë në fazën e parë, qoftë tani. Ndërsa, vetë ndeshja, pjesa e parë ishte më e ekuilibruar me raste, kurse ne arritëm të godasim portën me rastin apo këndoren e parë. Pastaj ne administruam më mirë lojën dhe duhej të ishim më të kujdesshëm të mbyllnim lojën me golin e tretë,” ka vazhduar ish trajneri i Skënderbeut.
“Që s’kemi pranuar ende gol nuk do të thotë gjë, sepse edhe sot bëmë shumë gabime në mbrojtje, sidomos rasti i Bashiru në pjesën e parë dhe sikur të na shënonte Trepça ’89 gol, gjërat do të ndryshonin shumë për vazhdimësinë e ndeshjes,” ka përmbyllur ai komentin e lojës pas fitores.
Prishtina me fitore ndaj Trepçës’89 është rikthyer në krye të klasifikimit të Superligës.