GRUPI C
Gjermania me fitore minimale
21 June, 2016 @19:54
Ajo që prisnim të gjithë shqiptarët në ndeshjen Irlandë Veriore-Gjermani, nuk ndodhi. Përkundër shumë rasteve për shënim dhe dominimit total, Gjermania e mbylli takimin ndaj Irlandës Veriore me vetëm 1 gol të shënuar, duke i dhuruar irlandezo-veriorëve gjasa të mëdha për kualifikim si njëri nga vendet e treta më të mira.
Rastet për Gjermaninë nuk munguan që nga fillimi i takimit dhe goli i fitores erdhi nga Mario Gomez në minutën e 30’. Lojtari i njëjtë shpërdoroi edhe shumë raste të tjera para portës, ndërsa raste shpërdoruan edhe Thomas Muller e Mario Gotze, pa e mohuar paraqitjen fenomenale të portierit McGovern, i cili zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të portierëve në këtë kampionat deri më tani. Kjo është ndeshja e tretë radhazi që Gjermania ka probleme me finalizimin e rasteve, përkundër dominimit total.
Kjo fitore e kualifikon Gjermaninë si lider i Grupit C, ndërsa Irlanda Veriore mbetet në vendin e tretë me golaverazh 0, me gjasa të mëdha për kualifikim.