GJILANI - BALLKANI

Gjilani e Ballkani barazojnë, kreu i mbetet Drenicës
16 October, 2021 @15:05
Pa fitues është mbyllur ndeshja e sotme mes Gjilanit dhe Ballkanit, ndeshje që vuri përballë Ismet Munishin ndaj ish-skuadrës së tij.
Skuadrat në fjalë takimin e mbyllën me barazim 1-1 (Gerhard Progni 58’ / Nazmi Gripshi 63’).
Pjesa e parë mes skuadrave u mbyll 0-0, e më interesante ishte pjesa e dytë, e cila dhuroi një karton të kuq e 2 gola.
Që nga minuta e 55’, Gjilani luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi mesfushori Besar Musolli u përjashtua me karton të kuq, por kjo nuk i pengoi gjilanasit që të shënonin.
Katër minuta pas kartonit të kuq, Gjilani shënoi përmes Gerhard Prognit. Ky i fundit shënoi pas krosimit të ardhur nga Fiton Hajdari prej krahut të majtë.
Megjithatë, mysafirët reaguan shpejt. Ishte Nazmi Gripshi ai që me një supergoditje nga gjuajtja e lirë shënoi për 1-1 në minutën e 63’.
Në vazhdim të ndeshjes, përkundër orvatjeve më gola nuk pati dhe skuadrat i ndanë pikët.
Me pikë të barabarta me Ballkanin, në krye të xhiros mbetet Drenica falë numrit më të madh të golave të shënuara, kurse Gjilani momentalisht është 3 pikë larg kreut.
Xhiron e ardhshme, Gjilani e pret Drenicën, kurse Ballkani i shkon Dukagjinit.