ALBAN MEHA
Gol, ndaj Serbisë
15 September, 2014 @18:49
Alban Meha, njeriu që solli Paderbornin në Bundesligë me golat e tij të bukura nga gjuajtjet e lira, është në fazën e shërimit të plotë nga lëndimi.
Ai përveç që i mungoi ekipit të tij, pasi që ende nuk e debutoi në Bundesligë, po i mungon edhe kombëtares shqiptare.
Në një bisedë me të përditshmen Sport Plus, ai është shprehur se me shumë ankth ka ndjekur ndeshjen Portugali-Shqipëri, derisa pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen që kuqezinjtë do ta zhvillojnë ndaj Serbisë në Beograd.
“Vetëm shpresoj të jem i gatshëm dhe të mos kem probleme me lëndime. Shumë e rëndësishme për ne është që të fitojmë, s’ka rëndësi kush shënon. Mirëpo, nëse më ipet rasti, do të provoj dhe besoj se do të shënojë,” ka thënë mes tjerash 28 vjeçari Meha për gazetën në fjalë.
Meha, i cili ka 6 paraqitje për kombëtaren shqiptare, deri më tani ka shënuar dy gola projektili. Një ndaj Lituanisë dhe një tjetër ndaj Maltës.
Shqipëria mposhti Portugalinë në ndeshjen e parë të grupit, derisa pas Danimarkës që luhet më 11 tetor në Shqipëri, djelmoshat e Gianni De Biasit do të udhëtojnë për në Beograd në takim me Serbinë, më 14 tetor.